Pas vendimit për dënim me burg ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Egzon Azemi, dhe zëdhënësit të Qeverisë, Arlind Manxhuka, kanë ardhur reagime të ashpra nga të dy, duke e ndërlidhur çështjen me ndikimin e Serbisë.
Deputeti Azemi reagoi menjëherë pas vendimit, duke deklaruar se “çantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën”, ndërsa shtoi: “Rroftë Republika e Kosovës, turp atyre që lirojnë kriminelë serbë e neve na dënojnë veç pse reagojmë!”.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe zëdhënësi Manxhuka, i cili pas dënimit theksoi se ndikimi i Serbisë në veri është luftuar dhe çmontuar gjatë mandatit aktual. “Natyrisht, kemi qenë të bindur që do të prishen shumë interesa. Por, jemi ballhapur… përpara, vazhdojmë”, u shpreh ai, duke shtuar se zhvillimet e fundit lidhen me përplasje interesash të krijuara ndër vite.
Ndërkohë, vlen të theksohet se vendimi për dënim është marrë nga gjyqtari Kushtrim Shyti, i cili është djali i dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti.






