Gazetari Kushtrim Sadiku ka reaguar publikisht pas situatës së krijuar në debatin e së enjtes, duke kërkuar falje dhe duke sqaruar arsyet që çuan në performancën e tij gjatë emisionit.
Përmes një reagimi, Sadiku ka bërë të ditur se është duke u trajtuar për një sëmundje të lukthit, ndërsa në të njëjtën kohë po kalon edhe një proces të implanteve dentare, faktorë që sipas tij i kanë vështirësuar ndjeshëm komunikimin.
Ai ka theksuar se dhimbja dhe lodhja e shkaktuar nga këto probleme kanë ndikuar drejtpërdrejt në paraqitjen e tij, duke shtuar se gjithçka tjetër që po qarkullon në rrjetet sociale nuk është e vërtetë.
Gazetari ka nënvizuar përkushtimin e tij ndër vite në televizion, duke thënë se për 17 vjet rresht nuk ka munguar në asnjë emision, pavarësisht sfidave shëndetësore apo vështirësive të tjera, por këtë herë, siç u shpreh ai, “doli një vlerësim jo i duhur”.
Sadiku ka pranuar gabimin, duke e cilësuar atë si diçka njerëzore, ndërsa ka theksuar edhe respektin e madh që ka për Kosharen, për të cilën tha se ka realizuar dhjetëra emisione dhe për të cilat ndihet krenar.
Kujtojmë se publiku reagoi kohën e fundit pasi doli në publik në gjendje që dukej i dehur.






