Gazetarët e portalit “Shënjestër.com”, Fatlum Berisha dhe Granit Tahiri, kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme zyrat e tyre janë kontrolluar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Sipas tyre, kontrolli ka ardhur pas, siç pretendojnë, urdhrit nga pushteti aktual.
Ata thonë se inspektorët janë pritur në zyrat e portalit, që ndodhen përballë Qeverisë dhe Kuvendit, duke u ofruar gjithë dokumentacioni i kërkuar. Sipas gazetarëve, ky veprim nuk i ka frikësuar, por përkundrazi e konsiderojnë si dëshmi të ndikimit që, sipas tyre, mediumi ka në opinionin publik.
“Pushteti po i trembet ndikimit tonë në opinionin publik dhe po i druhet mediumit tonë. Kjo për ne është krenari dhe motivim për të vazhduar punën”, thuhet në reagimin e tyre.
Gazetarët paralajmëruan gjithashtu publikimin e një hulumtimi të ri, i cili, sipas tyre, do të trajtojë financimin nga Qeveria Kurti të një organizate që, siç pretendojnë, ka shtrembëruar historinë e luftës.
Në fund të reagimit, ata theksojnë se do të vazhdojnë punën e tyre hulumtuese, pavarësisht presioneve që pretendojnë se po përballen.






