Mbrëmja e 24 gushtit 2025, në fshatin Istog i Poshtëm, mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda, nëse nuk do të ndërhynte djali i familjes. Naim Sylaj i ishte vërsulur bashkëshortes duke e kërcënuar me thikë.
Djali i tij ka deklaruar në polici se babai ka nevojë për trajtim dhe terapi.
Madje, sipas tij, një mjek i ka rekomanduar që të qëndrojë në spital, por ai nuk ka pranuar.
Nga ana tjetër, Naim Sylaj punon si zyrtar në Qendrën për Punë Sociale në Istog, ku merret me rastet e viktimave të dhunës që i drejtohen për ndihmë.
Naim Sylaj, i pyetur nga Insajderi nëse vazhdon ta mbajë pozitën, tha se i është propozuar të marrë 70 për qind të pagës për tre muaj.
Sylaj u shpreh i bindur se, pavarësisht rastit, do të kthehet në zyrë duke filluar nga java tjetër.
“Që 10 vjet merrem me gratë e dhunuara, por tash më ka ndodhur rasti, m’ka ranu gruaja dhe ka ndodhur rasti. Unë prej të hënës do të kthehem në punë.”
Lidhur me këtë rast dhe pozitën aktuale të punës së Naim Sylajt, Insajderi i ka drejtuar pyetje Komunës së Istogut.
Edhe pse bëhet fjalë për një zyrtar që shërben në një institucion delikat si Qendra për Punë Sociale, komuna nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen nëse i njëjti është suspenduar apo po vazhdon të jetë në kontakt me viktimat e dhunës në familje.
Si kishte ndodhur rasti?
Naim Sylaj sipas aktakuzës, nën ndikimin e alkoolit dhe me një thikë në dorë, ka tentuar të ushtrojë dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Në deklaratën e saj, bashkëshortja e Sylajt ka deklaruar se ndjen frikë.
“Është e vërtetë se në polici kam deklaruar se nuk e ndiej veten të rrezikuar, pasi jam mësuar me të dhe me pijen e tij, mirëpo nga ajo ditë jam duke e përcjell me më shumë vëmendje dhe e shoh se nuk është stabil, është i paparashikueshëm… tani kam filluar të frikësohem.”
Viktima në deklaratën në polici të cilën ka siguruar Insajderi thotë se prania e djalit në momentin kritik ka parandaluar më të keqen.
“Fatmirësisht atë ditë ka qenë djali im në shtëpi dhe e ka penguar… por tani frikësohem se po të mbes vetëm në shtëpi, mund të më ndodhë ndonjë gjë.”
Dëshmia: Ia kapa dorën për t’ia larguar thikën
Edhe djali i të dyshuarit ka dhënë një dëshmi për natën kritike. Ai kishte treguar se Sylaj kishte fshehur thikën në shpinë.
“Kam vërejtur se babai im e kishte fshehur thikën në shpinë dhe në momentin që është nisur në drejtim të nënës, i kam dalë përpara… ia kam kapur dorën me qëllim që t’ia largoj thikën.”
I njëjti ka treguar se gjatë përpjekjes për të ndalur sulmin, është lënduar në dorë.
“Lëndimet që kam pësuar nuk më janë bërë qëllimisht, por gjatë largimit të thikës.”
Megjithatë, ai shton se qëllimi i babait të tij ka qenë i drejtuar ndaj nënës.
“Qëllimi i tij ka qenë tek nëna ime, që t’i shkaktonte ndonjë të keqe.”
Ai në fund të deklaratës kishte përmendur nevojën për trajtim dhe terapi për babain e tij.
“Unë tani gjatë gjithë kohës me duhet te qëndroj afër nenës time, pasi qe frikësohem se mund ti shkakton ndonjë te kege. Kërkojë qe babai im te trajtohet dhe konsideroj se e terapi i njëjti edhe do te qetësohet. Pasi që ka ndodh rasti, ne si familjar e kemi dërguar babin ne Prishtinë, ne një spital privat, tek një dr. neo- psikiatër, i cili na ka udhëzuar qe babai duhet te qëndroj aty, mirëpo i njëjti nuk ka dashur me ç ‘rast mjeku ja ka përshkruar terapinë, por qe nuk është duke e përdorur“.
Ndërkohë, Prokuroria kishte ka vlerësuar se janë plotësuar elementet e veprës penale “Sulmi”.
Në përfundim, ishte propozuar që gjykata ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ta dënojë sipas ligjit.
“Pas analizimit të të lartcekurave dhe vlerësimit të secilës provë veç e veç, e në lidhshmëri logjike dhe faktike me njëra tjetrën, i pandehuri ka realizuar figurën e veprës penale të “Sulmi” nga neni 184 par. 3 nën par.3.1 lidhur me par 2 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së, për çka, duke u bazuar në dënimin për këtë vepër dhe provat të cilat i posedojmë kemi vendosur që të ngrisim këtë aktakuzë të drejtpërdrejt dhe i propozoj Gjykatës që të njëjtin ta shpalle fajtorë, ta dënoj sipas ligjit dhe ta obligoj në pagesën e shpenzimeve procedurale“.









