Sindikata e Minatorëve të ndërmarrjes Trepça Sh.A. ka reaguar ashpër ndaj institucioneve, duke thënë se minatorët po përballen me padrejtësi sistematike dhe po mbeten jashtë çdo llogarie sa i përket pagave dhe trajtimit institucional.
Në reagimin e tyre, sindikata thekson se, ndërkohë që deputetët dhe ministrat përfitojnë rritje pagash dhe pagën e 13-të, minatorët nuk kanë pasur asnjë rritje page që nga viti 2016.
“Kjo nuk është më çështje pagash. Kjo është padrejtësi sistematike. Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikmëri për veten – çdo vit rritje page dhe pagë e 13-të. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Sipas tyre, minatori çdo ditë përballet me rrezik të madh në nëntokë, ndërsa mbi tokë përballet me rritje të çmimeve dhe mungesë mbështetjeje institucionale.
“Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real dhe shëndeti shkatërrohet ngadalë. Ndërkohë çmimet rriten dhe askush nuk pyet për të”, thuhet më tej në reagim.
Sindikata ka ngritur shqetësim edhe për mospagesën e kontributeve në Trustin Pensional dhe për vështirësitë që, sipas tyre, minatorët hasin kur kërkojnë drejtësi në institucione.
Në fund të reagimit, sindikata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të shqyrtojnë mundësinë e stimulimit për minatorët.
“I bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Minatorëve të Trepçës.







