Në prag të përballjes mes Kosovës dhe Turqisë, kryetari Faton Peci ka zgjedhur një qasje ndryshe, duke sjellë në vëmendje figura historike dhe zhvillime të së kaluarës.
Postimi i plotë:
Kur Mitrovica i tha JO konformizmit të Stambollit dhe planeve të Rusisë
Ishte 31 Mars 1903.
Duke parë rrezikun që po i kanosej ekzistencës së shqiptarëve, Isa Boletini intensifikoi veprimtarinë e tij, duke kundërshtuar Stambollin, i cili nuk tregonte gatishmëri për të mbrojtur kufijtë. Trimat e Isës, detyruan bandat serbe të cilën kishin qenë të armatosura nga konzulli rus i Shkupit, që të dorëzonin armët dhe t’i shkarkonin ato para komunës në Mitrovicë.
Isa Boletini kishte lidhur besën me popullin se nuk do të lejohej vendosja e konsullit Grigori Shçerbin. Por autoritetet osmane lejuan ardhjen e konsullit Shçerbin në Mitrovicë.
Trimat e Shalës dhe jo vetëm ata, u mblodhën në Shupkovc pranë Urës së Sitnicës. Ushtria osmane filloi bombardimin. Skenat ishin tronditëse dhe jashtëzakonisht të përgjakshme. Luftimet zgjatën për tri ditë rresht.
Më 31 mars 1903, në kulmin e përgjakjes, një ushtar shqiptar në radhët e ushtrisë osmane, Ibrahim Halit Popovci nga Llashtica e Gjilanit, duke parë masakrën, veproi kundër urdhrave. Ai qëlloi dhe plagosi rënd konsullin rus, i cili më vonë ndërroi jetë. Trimi Ibrahim Halit Popovci u arrestua dhe, pas torturave të rënda, vdiq në burgun e Shkupit.
Në librin kujtimet e Tafil Boletinit thuhet:
“Në këtë lufte janë vra ma se 300 djem të zgjedhun të Shales.
Prej udhëheqësve që i prinin popullit u vranë Shaban Gavazi i Bajgores,
Bejt Selaci, kushërini i jonë Hajdar Xhema, djalë 22 vjeç vet i peste,
Zenel Fetahi, Man Zeqiri, Ram Smaka e Sajdi Ibrahimi, këta dy te fundit nga lagjja Zhazha”.
Si Kryetar i Mitrovicës kurrë nuk do të lejoj që gjaku i dëshmorëve të Shalës dhe trevave tjera të përpihet nga kujtesa historike. Gjakun e dëshmorit as dielli s’e thanë! Mitrovica nuk harron!
Sot në këtë përvjetorë do të filloj procedurën që në brigjet e Urës së Sitnicës të vendoset pllaka përkujtimore për njërën nga betejat më të përgjakshme të historisë së popullit shqiptar.
Përjetësisht në nderim të trimave! LAVDI!








