Gazmend Muja, ish-kandidat për asamble nga Vetëvendosje, së bashku me faqen e partisë Guxo në Mitrovicë, gjatë fushatës zgjedhore kishin qenë ndër zërat më kritikë ndaj qeverisjes së kaluar të udhëhequr nga Bedri Hamza.
Megjithatë, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe fitores së Faton Pecit, kritikat për çështjet komunale u zëvendësuan kryesisht me lavdata. Tani duket se Muja ka reflektuar, duke rikthyer kritikat ndaj pushtetit lokal, ndërsa partia Guxo vazhdon me tone pozitive.
Në reagimin e tij publik, Muja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në hyrje të Shkollës së Mesme të Ulët “Avdullah Shabani” në Mitrovicë. Sipas tij, punimet për rrënimin e objekteve përreth, me qëllim ndërtimin e banesave, kanë krijuar rrezik të madh për nxënësit dhe stafin e shkollës, për shkak të mbeturinave ndërtimore dhe mungesës së kontrollit në hapësirë.
Ai ka kërkuar masa urgjente për sigurimin e zonës, ndërsa ka propozuar që të merret në konsideratë edhe ndërprerja e përkohshme e mësimit deri në pastrimin e rrënojave dhe eliminimin e rrezikut për nxënësit.
Po ashtu, është ngritur shqetësimi se persona të papërgjegjshëm po hyjnë në rrënoja për të marrë hekur dhe materiale të tjera për skrap, duke e rritur edhe më shumë mundësinë e incidenteve.
Sipas Mujës, institucionet duhet të veprojnë sa më shpejt për të shmangur ndonjë fatkeqësi të mundshme.






