Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka lënë të kuptohet se Vjosa Osmani nuk është kandidatja e tyre për president, por edhe partnerët e saj në Guxo, e cila është themeluar si iniciativë nga vetë Osmani, janë të ndarë në dysh sa i përket përkrahjes për një mandat tjetër për të në krye të shtetit.
Osmani ka shprehur ambicien edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, por nuk dihet nëse do ta ketë mbështetjen e partive parlamentare për t’u rizgjedhur.
Donika Gërvalla, njëra nga kryetaret e partisë Guxo, po del të jetë kundërshtorja kryesore që Vjosa Osmani të mos e ketë mandatin e dytë presidencial.
Ajo sot ka refuzuar t`i përgjigjet gazetës Nacionale, nëse është pro Vjosa Osmanit.
Derisa ka hyrë në zyre, ajo ka refuzuar të jap një qëndrim për këtë çështje.
“Jo faleminderit shumë. Jam duke shkua në zyre. Ditën e mirë”, ka thënë Gërvalla derisa është pyetje nga gazetarja e Nacionales, nëse e përkrah Osmanin edhe për një mandat.
Kundërshtimin e Gërvalles për Osmanin e kanë konfirmuar edhe burimet e gaztës Nacionale të afërta me partinë Guxo.
Këto burime kanë bërë me dije se Gërvalla është kundërshtarja më e ashpër e Vjosa Osmanit.
I njëjti burim i ka thënë gaztës se kundërshtimi ndaj Osmanit, e para e Guxosë e ka shprehur hapur edhe në komunikimet me deputetët e këtij subjekti politik.
Në këto komunikime, sipas burimit, Gërvalla ka kërkuar nga deputetët kësaj partie të mos e thonë asnjë fjalë për Osmanin.
I vetmi që ka folur për këtë çështje është deputeti Haxhi Avdyli.
Ai ka vlerësuar se presidentja Vjosa Osmani meriton një mandat të dytë presidencial.
“Vjosa Osmani si presidente në 5-vjeçarin e kaluar ka treguar një performance dhe paraqitje brilante në përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit,”, ka thënë Avdyli, duke i vazhduar lëvdata për Osmanin.
Gërvalla tashmë qartazi kundërshton vazhdimin e mandatit të Vjosa Osmanit. Në një linjë me të është edhe ministri i Gërvallës, Blerim Gashani.
Ndërkohë, që ndryshe mendon bashkëkryetari tjetër i partisë, Faton Peci. Sipas burimeve, Peci është i interesuar që partia e ty ta përkrahë Osmanin sërish.
Gjatë kësaj jave, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur një seri takimesh me liderët e partive opozitare për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Të hënën, Albin Kurti, ka takuar kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e një ditë më herët edhe atë të PDK-së, Bedri Hamza.
Ai tha se zgjidhja është tek tri partitë e para, Vetëvendosja, PDK dhe LDK, teksa qartësoi se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila po synon edhe një mandat, nuk është kandidatja e tij për president.
Kurti tha se do të përpiqen maksimalisht që t’i evitojnë zgjedhjet e reja.
Kosovës i duhet të nxitojë ta zgjedhë presidentin e ri të vendit deri më 4 mars, për t’i shmangur edhe një palë zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.









