Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, “thumbon” ish-partinë e tij, VV: Kosovës nuk i shërbejnë etiketimet e ulëta si “argat i Serbisë”, “tradhtar”, “në interes të Rusisë”, “hajn e jo luftëtar”, “jo atdhetar apo shkatërrues”

Publikuar më:

Armend Mehaj u bën thirrje partive politike: “Kosova nuk ka nevojë për fyerje, por për unitet”

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka reaguar me një mesazh të fortë drejtuar udhëheqësve politikë të vendit, duke kritikuar gjuhën nxitëse dhe etiketimet që, sipas tij, po e dëmtojnë klimën politike në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe zgjedhjes së Presidentit.

Mehaj ka theksuar se Kosova po kalon nëpër një moment të ndjeshëm dhe vendimtar, prandaj vendit i nevojiten qetësi, maturi dhe bashkëpunim. Ai ka vlerësuar se etiketimet e ulëta si “argat i Serbisë”, “tradhtar”, “në interes të Rusisë”, “hajn e jo luftëtar” apo “jo atdhetar” nuk i shërbejnë të mirës së përgjithshme dhe vetëm e dobësojnë vendin.

Sipas tij, të gjithë liderët politikë të partive shqiptare e kanë interesin e Kosovës, të Republikës dhe të kombit, dhe askush nuk është kundër shtetit. Ai theksoi se përplasjet personale dhe konfliktet e kota politike nuk duhet të vendosen mbi interesin e Kosovës.

Mehaj u bëri thirrje partive që, pavarësisht dallimeve, të bashkëpunojnë për ligjet, buxhetin dhe proceset shtetërore, duke paralajmëruar se Kosova nuk mund të përballojë më bllokada, përçarje dhe humbje kohe – sidomos në një fazë vendimtare për integrimin euro-atlantik.

Ai kërkoi që fushatat të fokusohen në programe të realizueshme e të ndershme, që synojnë ngritjen e vendit dhe jo dëmtimin e kundërshtarit politik. Qytetarët, tha ai, meritojnë punë konkrete dhe vizion, jo akuza boshe.

Në deklaratën e tij, Mehaj theksoi se ardhmja e Kosovës varet nga bashkëpunimi i sotëm i klasës politike. Ai paralajmëroi se, pa unitet dhe pa vendimmarrje të përbashkët, Kosova rrezikon të mbetet pranë dyerve të NATO-s dhe BE-së, por jo brenda tyre.

Në fund, ai theksoi se thirrja e tij nuk është politike, por në interes të Kosovës dhe të së ardhmes së fëmijëve.

“Kosova ka nevojë për unitet. NATO dhe BE-ja na presin”, përfundoi Mehaj.

JU REKOMANDOJMË