Brahim Vojvoda, qytetar nga Skenderaj, po pretendon se në vendvotimin në fshatin Llaushë nuk po figuron asnjë votë e familjes për vajzën e tij, Ervina Vojvoda, kandidate për asambliste nga Lista e Pavarur e Bekim Jasharit.
Vojvoda ka publikuar edhe formularin në të cilin shihet se kandidatja nuk ka asnjë votë të shënuar në rubrikën e saj.
“Unë si votues i rregullt në fshatin Llaushë bashkë me familjen time votuam vajzën time Ervina Vojvoda, por as vota ime si prind i saj nuk figuron askund, por ky nuk është vendvotimi i vetëm që na është bërë padrejtësi, dhe kjo është një dëshmi që ankesat nga ana jonë duhet të merren parasysh dhe vajza ime Ervina Vojvoda t’i ketë votat që i meriton”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Kallxo.com raportoi dje se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konstatuar se tetë fletëvotime kanë qenë të pavulosura në kutinë e votimit për kryetar të Komunës së Skenderajt.
Ankesat janë të parashtruar nga subjekti i Bekim Jasharit, i cili kishte ngritur dyshimet për parregullsi dhe vjedhje të votave të sistemit të “trenit bullgar” gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor në Skenderaj.
PZAP i ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat e subjektit të Bekim Jasharit për përsëritje të votimit, me arsyetimin se “nuk ka bazë të mjaftueshme dhe me peshë në rezultat”.