Gjykata Speciale jep shenja për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Publikuar më:

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Nicolas Guillou e ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të japë informacione të detajuara lidhur me aftësinë e saj për ta garantuar sigurinë e mjaftueshme në rast të lirimit me kusht të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Avokatët e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi kanë kërkuar që klientët e tyre të mbrohen në liri, duke kërkuar nga Policia e Kosovës që ta “garantojë” këtë.

“Gjykatësi i procedurës paraprake në këtë mënyrë: URDHËRON Policinë e Kosovës, në lidhje me ndonjë departament tjetër dhe/ose autoritetet në Kosovë nëse është e nevojshme, të sigurojë informacionin e detajuar në Shtojcën e këtij urdhri brenda dy javësh nga njoftimi”, thuhet në vendimin e marrë të premten, e që është publikuar tash së fundmi.

Më 25 qershor dhe 2 korrik, gjykatës i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për katër ish-krerët e UÇK-së.

Më 1 tetor, Gjykata e Apelit brenda Speciales nxori vendimet mbi ankesat e të akuzuarve kundër vendimeve të gjykatësit të procedurës paraprake, që urdhëroni për herë të dytë vazhdimin paraburgimit.

Apeli, ndër të tjera, i ktheu këto vendime te gjykatësi i procedurës paraprake për shqyrtim të mëtejshëm në mënyrë që ai të vlerësojë nëse Policia e Kosovës mund t’i zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara nga të akuzuarit ose çdo kusht tjetër të identifikuar nga ai si i nevojshëm për “zbutjen e rreziqeve të identifikuara”, e që kanë të bëjnë me lirimin e tyre me kusht.

Për këtë çështje, Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit, kërkoi nga gjykatësi i procedurës paraprake që ta lëshonte këtë urdhër.

“Gjykatësi i procedurës paraprake urdhëron Policinë e Kosovës që, siç specifikohet më tej në Shtojcën e këtij Urdhri, të japë informacion në lidhje me: (i) autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Kosovës për t’i kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit me kusht, monitorimit dhe kufizimit të individëve të tillë”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e vendimit.

Përveç kësaj, Policia e Kosovës mund të japë çdo informacion shtesë që konsiderohet i rëndësishëm në lidhje me zbatimin e lirimit me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

“Policia e Kosovës do të lidhet me çdo departament dhe/ose autoritet tjetër në Kosovë nëse është e nevojshme për të siguruar informacionin e kërkuar. Çdo pengesë teknike, logjistike ose ndonjë pengesë tjetër që e pengon ekzekutimin e duhur të Urdhrit do ngrihet menjëherë”, thuhet në vendim.

Javën e kaluar, Policia e Kosovës është shprehur e gatshme t’i zbatojë urdhrat nga Dhomat e Specializuara, nëse një gjë e tillë i kërkohet. Kështu kanë thënë në një përgjigje për Gazetën Express të mërkurën e javës së kaluar.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet ligjore sipas mandatit të saj dhe ka të gjitha kapacitetet të përmbushë të gjitha detyrat dhe përgjegjësite, sipas kërkesës nga zyra e prokurorit, gjykata apo dhomat e specializuara”, u tha në përgjigjen e Policisë.

Policia theksoi se “pjesë e detyrave dhe e funksionimit tonë të rregulltë, është mbikqyrja e implementimit të kushteve të vendosura për lirimin e përkohshem të personave të akuzuar, në pritje të procesit gjyqësor.”

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.