Sondazhi më i fundit i UBO Consulting ka nxjerr në pah një tendencë të qartë ku mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje po pëson rënie, ndërsa partitë opozitare po fitojnë terren si zgjedhje alternative për qytetarët.
Në pyetjen se “cila do të ishte zgjedhja juaj e dytë nëse do të votohej këtë të diel?”, LDK si zgjidhje e dytë, del e para me 18.5%, duke lënë pas Vetëvendosjen me 16.5%, deri sa PDK-ja pason me13.7%, deri sa partitë e tjera regjistrojnë përqindje më të ulëta.
Nga Partia Demokratike janë shprehur të bindur se kjo parti do të rikthehet fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme, derisa nga Lidhja Demokratike vlerësojnë se sondazhet nuk janë shqetësim por formimi i Institucioneve është parimor.
Behrami: PDK do të rikthehet si forca e parë në zgjedhjet e ardhshme
Sipas sondazhit të fundit të publikuar nga UBO Consulting, PDK-ja renditet e treta si zgjedhje e dytë e qytetarëve, me 13.7%, pas LDK-së dhe Vetëvendosjes.
E, deputeti i kësaj partie, Artan Behrami, ka deklaruar për “Front Online” se PDK është në ngritje dhe se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehet si forca e parë në vend.
“Përmes një fushate depolarizuese përmes një programi transformativ PDK-ja ka arritur një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet e fundit me kandidat për kryeministër Bedri Hamza. Në zgjedhjet e ardhshme kurdo që mbahen ato, PDK do të rikthehet si forcë e parë në Kosovë”, u shpreh Behrami.
Hyseni: Është koha që LDK të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr vendin
Deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, është prononcuar për “Front Online” pas publikimit të sondazhit të fundit nga UBO Consulting, ku LDK renditet si partia më e përzgjedhur si zgjedhje e dytë nga qytetarët.
Por, për Hysenin, sondazhet janë shqetësimi më i vogël në raport me gjendjen reale të qytetarëve.
“Cilido sondazh është shqetësimi më i vogël. Shqetësimi parësor është se duhet konstituuar institucionet me urgjencë, në mënyrë që të trajtohen me prioritet shqetësimet e qytetarëve, të cilëve çdo ditë e më tepër po u rëndohet jeta si pasojë e çmimeve të larta”, deklaroi Hyseni.
Hyseni shtoi se partia që ka dalë e para duhet të marrë përgjegjësitë e saj, ose të hapet rruga për propozimin e LDK-së dhe të kryetarit Abdixhiku, që sipas tij, po dëshmohet si alternativa e duhur për vendin.
“Partia që ka dalë e para duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë apo në të kundërtën të ulemi të gjithë dhe t’i japim udhën e duhur propozimit të LDK-së dhe kryetarit Abdixhiku, i cili siç po dëshmohet çdo ditë e më tepër është alternativa e vetme por edhe e duhura si kapërcim i kësaj situate në të cilën ndodhemi”, potencoi Hyseni.
Demhasaj: VV po humb terren çdo ditë, qytetarët po i kthehen partive të tjera
Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj, për “Front Online” ka folur lidhur me rezultatet e fundit të sondazhit të UBO Consulting, ku vërehet një rënie e mbështetjes për Vetëvendosjen dhe një rritje e lehtë e partive opozitare.
Sipas Demhasajt, kjo rënie është pasojë direkte e zhvillimeve pas zgjedhore dhe e mënyrës së qeverisjes nga VV.
“Krejt ngjarjet pas zgjedhjeve kanë ndikuar tek preferenca e qytetarëve, po shihet që ka një rënie të VV dhe kjo vjen nga qasja e tyre sa i përket konstituimit të Kuvendit, problemin me rrymën, aferat korruptive, kjo ka ndikuar që VV të humb preferencën e qytetarëve si të parë që e kanë pas dhe tash po i shohin partitë e tjera politike. VV çdo ditë po humb teren e partitë tjera po e rifitojnë atë”, deklaroi Demhasaj