Pas publikimit të artikullit nga për grante bujqësore, ka reaguar Shkëlzen Xhaferi, asamblist i LDK-së në Vushtrri dhe personi i përmendur në këtë raportim.
Në reagimin e tij, Xhaferi i ka quajtur sulme politike akuzat për përfitimin e dyshimtë të një granti bujqësor nga babai i tij. Ai ka theksuar se granti është fituar pas një ankese zyrtare dhe se për këtë rast tashmë ka ngritur padi për shpifje ndaj dy personave.
Xhaferi ka mohuar gjithashtu çdo lidhje familjare me ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, duke sqaruar se fotografia që po qarkullon, ku ai shihet pranë ministrit, është nga një aktivitet politik i LDK-së në vitin 2017, kohë kur Peci ishte ende pjesë e kësaj partie.
Sipas Xhaferit, qëndrimi i tij i palëkundur në LDK po i pengon rivalët politikë në Vushtrri, të cilët, siç ka deklaruar ai, po përpiqen të mbulojnë skandalet e tyre me sulme të ulëta. “Nuk do të mund ta njollosni familjen time”, ka përfunduar reagimin e tij Xhaferi.
Reagimim plotë:
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë,
Sot kanë nisur sulmet ndaj meje dhe familjes time, njësoj si para zgjedhjeve qendrore të shkurtit 2025 (me te njëjtën temë)!!
Ashtu siç e kam njoftuar edhe një gazetare në atë kohë, po ju njoftoj edhe juve: granti për të cilin po flitet është fituar përmes ankese (shih Foto 1).
Po ashtu, dy persona janë paditur për shpifje (shih Foto 2).
Ndërkaq, nuk ekziston asnjë lidhje familjare me Faton Peci, fotoja që po qarkullon (Foto 3) është nga një aktivitet politik, përvjetori i LDK-së në Vushtrri, në vitin 2017.
Ai tashmë është pjesë e një partie tjetër, ndërsa unë i kam qëndruar besnik LDK-së.
Siç duket, kjo besnikëri po i pengon PDK-së në Vushtrri, që tani po përpiqet të mbulojë skandalet e tyre milionëshe me sulme të ulëta.
Nuk do të mund ta njollosni familjen time.