Lajm i mirë: KEK-u thotë se u ndal tashmë tymi i zi, thotë se ishte domosdoshmëri për ta startuar bllokun A5

Publikuar më:

𝐍𝐣ë𝐬𝐢𝐚 𝐀𝟓 𝐞 𝐓𝐂 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐚 𝐀 𝐫𝐢𝐤𝐭𝐡𝐞𝐡𝐞𝐭 𝐧ë 𝐨𝐩𝐞𝐫𝐢𝐦

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njofttuar opinionin publik se sot, më 23.06.2025, njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar një rikthim të suksesshëm në operim, pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme.

Procesi i startimit të njësisë kishte filluar këtë mëngjes, pasi kishin përfunduar me sukses të gjitha ndërhyrjet e planifikuara, në kohë dhe me cilësi të lartë teknike.

Punimet e realizuara përfshijnë:
• Sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse (i përfunduar të premten);
• Sanimin e rrjedhjeve në ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës (i përfunduar të dielën);
• Pastrimin me pompë presioni të ftohësve të hidrogjenit;
• Pastrimin e komorave në hyrje të kondenzatorit;
• Punime mirëmbajtëse në pajisjet e sistemit MRRK;
• Pastrimin e kuotave rreth kaldajës nga materiale të huaja – për rritje të sigurisë dhe efikasitetit operacional.

Ky rikthim në operim konfirmon edhe një herë kapacitetin dhe gatishmërinë e ekipeve tona teknike, të cilat, me përkushtim profesional dhe koordinim të vazhdueshëm, siguruan një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të rikthimit të njësisë A5.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hashani, ka falënderuar të gjithë punonjësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre:

“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”
————————————————————————-

𝐕ë𝐦𝐞𝐧𝐝𝐣𝐞 𝐩ë𝐫 𝐨𝐩𝐢𝐧𝐢𝐨𝐧𝐢𝐧 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤

Duke marrë parasysh interesimin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve, veçanërisht të banorëve që jetojnë në afërsi të Termocentralit Kosova A, KEK sh.a. dëshiron të ofrojë këtë sqarim teknik:
Ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, startimi i çdo njësie prodhuese, përfshirë njësinë A5 këtë mëngjes, është një proces kompleks dhe teknikisht i domosdoshëm, që zakonisht zgjat 3–4 orë.

Gjatë kësaj faze fillestare, për shkak të natyrës teknologjike të djegies – që fillimisht bëhet me naftë, e më pas, kur arrihet temperatura e nevojshme, me linjit – mund të ketë rritje të përkohshme të emetimeve nga oxhaqet.
Kjo është një dukuri e zakonshme dhe teknologjikisht e pashmangshme në të gjitha termocentralet e këtij lloji, brenda dhe jashtë vendit.

Siç dëshmohet edhe nga fotografitë e orës 11:07 (bashkelidhur), njësia është tashmë e stabilizuar dhe tymi është zhdukur, çka konfirmon përfundimin e suksesshëm të fazës së startimit.

KEK sh.a. bashkëndjen me qytetarët e komunës dhe posaçërisht me ata që ndodhen në afërsi të zonës operative. Sigurojmë qytetarët se proceset e startimit kryhen me përkujdesje të shtuar teknike, nën mbikëqyrje të vazhdueshme, dhe janë të domosdoshme për:

– 𝐠𝐚𝐫𝐚𝐧𝐭𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐟𝐮𝐫𝐧𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐬𝐭𝐚𝐛𝐢𝐥 𝐦𝐞 𝐞𝐧𝐞𝐫𝐠𝐣𝐢 𝐞𝐥𝐞𝐤𝐭𝐫𝐢𝐤𝐞, 𝐝𝐡𝐞
– 𝐫𝐮𝐚𝐣𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐬𝐢𝐠𝐮𝐫𝐢𝐬ë 𝐭𝐞𝐤𝐧𝐢𝐤𝐞 𝐭ë 𝐩𝐚𝐣𝐢𝐬𝐣𝐞𝐯𝐞 𝐞𝐥𝐞𝐤𝐭𝐫𝐨𝐞𝐧𝐞𝐫𝐠𝐣𝐞𝐭𝐢𝐤𝐞.

Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm!

KEK sh.a. mbetet e përkushtuar ndaj menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese, përmes mirëmbajtjes së kujdesshme, planifikimit teknik dhe angazhimit profesional të pandërprerë, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.

Gjithë t’ mirat,
Departamenti për Marrëdhënie
me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.