Xhipat e zi të Qeverisë Kurti: Vetëm “AutoMita” mori nga qeveria afër 10 milionë Euro për veturat me qira

Publikuar më:

Mbi 16 milionë euro kanë shpenzuar institucionet qendrore dhe lokale për blerje të veturave të reja dhe marrje me qira të veturave vetëm tek dy operatorë privat: AutoMita dhe Mercom Company.

Ky shpenzim enorm i buxhetit të vendit për luksin e zyrtarëve shtetëror ka ndodhur gjatë periudhës së fundit 4-vjeçare, sa ka qenë në krye të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

 

 

Kurti sa ka qenë në opozitë ka qenë kritik i ashpër i pushteteve të kaluar për shpenzimet milionëshe të buxhetit të shtetit në vetura zyrtare.

Madje, disa herë kishte deklaruar se ne Qeverinë e tij gjërat do të ndryshojnë.

“Xhipat e zi do të kenë vetëm prokurorët”, deklaronte shpeshëherë Kurti si opozitar, por premtim ky që nuk u mbajtë asnjëherë gjatë pozitës së tij si kryeministër i Kosovës.

Portali FrontOnline ka hulumtuar tenderët që i ka fituar kompania “Automita”, e cila është importues dhe distributor i veturave të markës “Renault”, “Nisan” dhe “Dacia” në Republikën e Kosovës, dhe sipas dokumentacioneve të gjetura del se na viti 2021 dhe në gjysmën e parë të vitit 2025 “AutoMita” ka përfituar kontrata nga institucionet në vlerë prej rreth 9.3 milionë euro.

Përpos kompanisë “Automita”, kontrata të ngjashme në vlerë prej 6.8 milionë euro ka marrë edhe kompania “Mercom”.

Këtë të fundit gjatë muajit prill të këtij viti e kishin vizituar kryeministri Kurti dhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Përpos kontratës për blerje dhe marrje me qira të veturave “Mercom” ka përfituar edhe grante nga Ministria e Tregtisë.

Pyetje janë dërguar edhe në Ministrinë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari se sa është vlera e granteve që ka përfituar nga shteti “Mercom Company”, por nga ky dikaster qeveritar nuk kanë kthyer kurrfarë përgjigje në adresë të portalit.

As “AutoMita” e as “Mercom Company” nuk janë përgjigjur në pyetjet për kontratat që i kanë fituar nga institucionet shtetërore të Kosovës gjatë periudhës 4-vjeçare.

Tenderët e fituar nga Auto Mita për furnizim me automjete te reja dhe dhënie me qira të Automjetet për Institucionet e Kosovës gjatë periudhës  2021-2025

KRU “Bifurkacioni” SH.A. – Furnizim me Automjete të transportit për udhëtarë LOT I – Furnizim me 1 veturë, LOT II – Furnizim me 3 (tri) vetura – Vlera e kontratës: 111,620 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 19.05.2025.

Agjencia Qendrore e Prokruimit – Vetura me qira për nevojat e Institucioneve të Kosovës – Vlera e kontratës: 3,497,040.00 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 27.03.2025.

KRU ” Hidrodrini ” SH.A. – Furnizimi me automjete për e ndarë në 2 LOT– Vlera e kontratës: 126,391.97 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 25.02.2025.

Agjencia Qendrore e Prokurimit – Vetura me qira për nevojat e institucioneve të Kosovës – Vlera e kontratës: 1,107,000 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 30.01.2025.

Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking SH.A. – Marrje me qira të automjeteve – Vlera e kontratës: 79,020 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.12.2024.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit GJAKOVA SH.A.- Furnizim me dy kamioneta për nevojat e mirëmbajtjes – Vlera e kontratës: 75,680 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 17.11.2024.

Agjencia Qendrore e Prokurimit – Furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës – Vlera e kontratës: 600,610 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 06.11.2024

Komuna e Prizrenit – Blerja e veturës Kombi-Bus për shtëpinë e pleqve në Prizren – Vlera e kontratës: 36,840 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 19.09.2024.

Komuna e Pejës – Blerja e kamionetave për ekipin komunale të pastrimit – Vlera e kontratës: 38,900 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 29.08.2024.

NPL Gjelbër SH.A. – Furnizim me Vetura Pick-Up – Vlera e kontratës: 44,400 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 20.05.2024.

KRU”Bifurkacioni”SH.A. – Furnizim me 3 automjete të reja – Vlera e kontratës: 65,940 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 03.05.2024.

Agjencia e Statistikave e Kosovës – “Vetura me qira”- Vlera e kontratës: 119,175 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 15.03.2024.

Ujësjellësi rajonal Prishtina – Furnizimi me eskavator, kamioneta dhe rimorkio për bartje të eskavatorit – Vlera e kontratës: 136,860 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 05.02.2024.

R.U. Mitrovica SH.A. – Furnizim me Automjete – Vlera e kontratës: 123,100 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.01.2024.

Komuna e Istogut – Blerja e veturave për administratën komunale dhe zyrën e kryetarit – Vlera e kontratës: 71,670 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 15.12.2023.

Komuna e Pejës – Blerja e një veture për QKMF-në – Vlera e kontratës: 28,400 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 06.11.2023.

Agjencia Qendrore e Prokruimit – Vetura me qira – Vlera e kontratës: 1,197,507 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 06.11.2023.

KRU”Bifirkacioni”SH.A. – Blerja e 3 (tre) automjeteve të reja – Vlera e kontratës: 65,940 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.10.2023.

Agjencia Qendrore e Prokruimit – Vetura me qira – Vlera e kontratës: 197,880 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 03.10.2023.

Ministria e Kulturës – Marrja me qira e veturave për nevojat e MKRS-së dhe institucioneve në vartësi – 6,400 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 29.08.2023.

Komuna e Gjakovës – Marrja me qira e veturës për çerdhe – Vlera e kontratës: 1,320 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 29.08.2023.

Agjencia Qendrore e Prokurimit – Vetura me qira – Vlera e kontratës: 164,360 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 11.07.2023.

Komuna Skenderaj – LOT 1 – Blerja e automjeteve zyrtare për komunën e Skenderajt; LOT 2 – Blerja e automjeteve zyrtare për komunën e Skenderaj – Vlera e kontratës: 95,500 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 04.07.2023.

Ndërmarrja Publike Banesore – Marrja me qira e automjeteve – Vlera e kontratës: 118,620 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 16.05.2023.

Komuna e Junikut- Blerja e automjetit për nevojat e Komunës së Junikut – Vlera e kontratës: 19,790 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 12.05.2023.

Komuna e Pejës – Blerja e veturave LOT 1- Blerja e xhipave të vegjël për Administratën Komunale LOT 2- Blerja e një veture për QKMF-në – Vlera e kontratës: 109,960 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 20.04.2023.

Komuna e Prizrenit – Furnizim me një autoveturë për nevojat e Komunës gjegjësisht zyrës së Kryetarit në Komunën e Prizrenit – Vlera e kontratës: 44,900 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 30.03.2023.

Dogana e Kosovës – Furnizimi me automjete të reja – Vlera e kontratës: 174,200 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 13.03.2023.

Komuna Novobërdës – Furnizim me vetura për nevojat e komunës së Novobërdës- Vlera e kontratës: 29,980 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 09.12.2022.

Komuna Obiliqit – Blerja e veturave – Vlera e Kontratës – 37,780 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 14.10.2022.

Dogana e Kosovës – Furnizim me automjete të reja – Vlera e Kontratës: 709,920 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 13.02.2022.

Hidrogjeni Jugor – Furnizim me automjete zyrtare – Vlera e kontratës: 43,470. Kontrata është nënshkruar më: 20.01.2022.

Prishtina Parking – Furnizim me vetura përmes lizingut- 48,924 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 09.12.2021.

Komuna e Pejës– Blerja e automjeteve. Vlera e kontratës: 82,450 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 26.10.2021.

Komuna Zubin Potok – Furnizim me një automjet – Vlera e Kontratës: 19,940 Euro. Kontrata është nënshkruar më: 22.10.2021.

Ndërmarrja Ibër Lepenc – Furnizim me dy automjete SUV 4×4 dhe një kamnionetë – Vlera e Kontratës- 104,460. Kontrata është nënshkruar më:31.03.2021.

 

Ferat Shala akuzon Qeverinë Kurti për keqpërdorim të buxhetit në furnizim dhe servis të veturave zyrtar

 

Shpenzimet milionëshe të institucioneve qendrore dhe lokale për blerje dhe marrje te veturave me qira po kritikohen nga opozita dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për, siç e ka quajtur ai, keqpërdorim të buxhetit të shtetit në drejtim të luksit qeveritar.

“Qeveria Kurti ka përdorur në mënyrë skandaloze buxhetin e Kosovës për të shtuar luks qeveritar” deklaroi Shala gjatë një konference për media.

Ai ngriti shqetësimin për rritjen e ndjeshme të shpenzimeve për vetura nga ana e institucioneve shtetërore.

“Një nga paramentat shqetësues është se kjo Qeveri brenda një mandati, diku mbi 9 milion euro ka shpenzuar vetëm në makina dhe në servisimin e tyre.” tha ai.

Sipas tij, këto shpenzime janë më të lartat që janë bërë ndonjëherë në një periudhë të tillë kohore.

“Këto shuma janë më të lartat se në secilën Qeveri brenda të njëjtës periudhë kohore.” shtoi Shala.

Shala theksoi se kjo çështje është trajtuar edhe në Komisionin për Financa të Kuvendit të Kosovës, ku janë paraqitur të dhëna shqetësuese.

“Skandalet financiare dhe menaxhimi i keq i buxhetit tek veturat, ka qenë edhe çështje diskutimi tek Komisioni për Financa, ku ne kemi parë shumat marramendëse të shpenzuara nga kjo Qeveri,” u shpreh ai.

AVONET kritikon shpenzimet për vetura: Mjetet duhet të përdoren për blerje, jo për vetura me shfrytëzim

Drejtori ekzekutiv i rrjetit AVONET, Kenan Gashi, për FrontOnline ka kritikuar mënyrën se si institucionet e vendit po menaxhojnë shpenzimet për vetura zyrtare, duke e cilësuar këtë praktikë si të padrejtë dhe të dëmshme për qytetarët.

“Veprimet se si Qeveria paguan taksa për vetura në shfrytëzim është në dëm të qytetarit sepse ajo paisje, ajo veturë nuk mundesh me shfrytëzu më institucionet e Kosovës,” deklaroi Gashi, duke theksuar se këto janë investime të kota për pajisje që nuk mbeten në pronësi të institucioneve.

Ai ka theksuar se mjetet publike duhet të përdoren për blerjen e pajisjeve që mbesin në shërbim të institucioneve.

“Me këto mjete duhet me ble pajisje e jo me i shfrytëzu me qera. Kjo është formë jo e drejtë.” shtoi ai.

Gashi rikujtoi edhe qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje kur ajo ishte në opozitë, duke theksuar se sjellja aktuale e Qeverisë bie ndesh me opinionin që kishte ndërtuar më herët.

“VV i ka kundërshtuar këto veprime sa ishte në opozitë për të marr vetura të tilla dhe kjo po e vazhdon këtë trend të tillë dhe kjo është në kundërshtim me opinionin që ajo ka krijuar.” potencoi ai.

Dragusha nga Demokracia+: Duhet transparencë veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që më parë janë kundërshtuar politikisht.

Përfaqësuesi i organizatës Demokracia Plus, Ardit Dragusha ka folur për FrontOnline lidhur me  shpenzimet e institucioneve të Kosovës për furnizim me vetura dhe servisim, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe përputhjes ndërmjet qëndrimeve politike dhe veprimeve në qeverisje.

“Në terma të përgjithshëm, një situatë e tillë ngre pyetje legjitime për koherencën ndërmjet qëndrimeve politike të shprehura në opozitë dhe veprimeve konkrete gjatë ushtrimit të pushtetit,” deklaroi Dragusha, duke nënvizuar kontrastin që mund të lindë mes premtimeve dhe praktikave të qeverisjes.

Megjithëse tha se nuk mund të bëjë komente për raste të veçanta pa analizë të thelluar.

“Ndonëse nuk mund të komentoj konkretisht, duke qenë se secili tender ka specifikat e veta dhe duhet të analizohet në veçanti.” shtoi ai.

Ai gjithashtu theksoi nevojën që institucionet të jenë të hapura dhe llogaridhënëse kur bëhet fjalë për përdorimin e fondeve publike.

“Është e rëndësishme që institucionet të sigurojnë transparencë dhe arsyetim të qartë për çdo shpenzim, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që më parë janë kundërshtuar politikisht.” përfundoi Dragusha.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.