Analisti Shenoll Muharremi ka bërë me dije se sondazhi i fundit i UBO-së konfirmon rënien e vazhdueshme të VV-së.
Ai ka paralajmëruar se nëse Albin Kurti nuk reflekton, VV-ja do të futet në një rënie të madhe.
Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se me këtë trend partia e Albin Kurit po shkon në nivelin e rreth 30%.
“Nëse Albin Kurti nuk reflekton së shpejti, LVV po futet në një trend të rënies që mundet me eskalu. Psikologjia sociale po edhe elektorale është e tillë që kur njerëzit e shofin këtë rënie që po konfirmohet vazhdimisht, poshtë e më poshtë, ata kanë me paniku dhe kanë me garu me zbritë nga anija kush më shpejt. LVV me këtë trend po shkon në nivelin e rreth 30%”, ka shkruar ai
Analisti Shenoll Muharremi vlerëson se skena politike në Kosovë po kalon një proces vetëkorrigjimi, gjë që paraqet një zhvillim pozitiv për demokracinë në vend. Në analizën e tij të bazuar në të dhënat e fundit nga anketa “Omnibus”, e prezantuar në emisionin Debat Plus, ai thekson se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po vazhdon me rënie të ndjeshme në përkrahje: nga 50.2% në shkurt, në 42.3% po atë muaj, 40.8% në mars dhe tashmë 37% në qershor.
Sipas Muharremit, kjo është shenjë që demokracia parlamentare në Kosovë po funksionon në mënyrë të shëndetshme dhe nuk e toleron përqendrimin e pushtetit tek një subjekt apo tek pak individë. Ai thekson se sistemi politik kërkon shumëpartizëm, ide të ndryshme dhe bashkëpunim të gjerë, dhe se LVV është në rrugë të qartë të tkurrjes, me një trend që e afron atë me nivelin e 30%.
Në anën tjetër, ai kritikon PDK-në dhe LDK-në për stagnim. Edhe pse të dy partitë arritën rezultate të mira në zgjedhjet e fundit, ato nuk kanë arritur të rriten pas krizave të mëdha që kanë goditur vendin – përfshirë bllokadën parlamentare dhe keqmenaxhimin e krizës energjetike. Sipas Muharremit, mirëmbajtja e përkrahjes nuk mund të konsiderohet sukses në një kohë kur partia në pushtet është në rënie të dukshme.
Ai vlerëson se ekziston potencial për një rritje deri në 10% për partitë opozitare, por kjo nuk po ndodh për shkak të disa faktorëve të brendshëm. Te LDK-ja, ai përmend qëndrimet neutrale, hezitimin për të marrë pozicione të qarta, përjashtimet e brendshme dhe mungesën e kohezionit. Ndërkaq, te PDK-ja, sipas tij, mungon ambicia për rritje dhe gatishmëria për reforma më të thella të brendshme.
Muharremi thekson gjithashtu se asnjëra nga këto parti nuk ka ofruar kauza të qarta në një kohë kur vendi po kalon tranzicione të mëdha dhe kriza të shumta. Ai vëren se edhe gjatë krizës energjetike, kur është goditur sektori privat – që është thelb i ideologjisë së të djathtës – partitë opozitare kanë mbetur të pasiva, përkundër disa veprimeve individuale të izoluara.
Sipas tij, megjithatë, zhvillimet aktuale tregojnë se sistemi politik është në proces të balancimit dhe ky është një sinjal i shëndetshëm demokratik. Ai parashikon që një “reset” i sistemit do të ndodhë kur tri partitë e mëdha të barazohen afërsisht në nivelin e 25% të përkrahjes secila.
Në përfundim të analizës, Muharremi thekson se të tri partitë e mëdha kanë nevojë për reforma thelbësore, në përputhje me nevojat e kohës dhe të ardhmes. Sipas tij, më së shumti për reforma ka nevojë LVV, pasi koncepti dhe qasja aktuale janë të vjetruara dhe të papërshtatshme për realitetin aktual. Ai shton se nëse kjo parti nuk përkrah bizneset dhe familjet në momente krizash si ajo e energjisë, atëherë është në drejtim të gabuar.