Një ngjarje shqetësuese është raportuar në Mitrovicën Veriore, ku një grua ka qenë viktimë e ngacmimit seksual në mes të ditës dhe në hapësirë publike. Rasti kishte ndodhur në prill, por i dyshuari ishte arratisur deri më arrestimin e tij në qershor.
Bëhet e ditur se më 9 prill 2025, rreth orës 13:30, në rrugën “Vlade Cetkovic” në Mitrovicë Veriore, një grua me inicialet M.R, 44 vjeçar është sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga një person i panjohur, i cili fillimisht e kishte përshëndetur në gjuhën serbe me “Dobar dan” dhe më pas kishte tentuar t’i prekte flokët.
Përkundër përpjekjes së saj për t’u larguar, i dyshuari e kishte prekur me dorë në pjesën e pasme të trupit, me ç’rast viktima kishte reaguar duke e shtyrë dhe goditur me gurë. I dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes para se të identifikohej nga Policia.
Rasti ishte proceduar si “Ngacmim seksual”, ndërsa hetuesit kishin marrë përshkrimin e të dyshuarit dhe kishin ndërmarrë veprime për lokalizimin e tij.
Sipas burimeve të Sinjalit, pas afro dy muajsh kërkimesh, më 12 qershor 2025, në rrugën “Kral Petar” pranë shkollës “Sveti Sava”, hetuesit e Stacionit Policor “Veriu” kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, që rezultoi të jetë Driton Goska, 42 vjeçar, nga Peja.
I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit Kujdestar, është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Hetimet për rastin po vazhdojnë.