Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Agim Bahtiri, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike aktuale në vend, duke e cilësuar bllokimin e punës së Kuvendit si të papranueshëm dhe të dëmshëm për interesat e qytetarëve dhe të shtetit.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është kthyer në peng – “peng i inatit, peng i llogarive, peng i atyre që nuk e ndiejnë dhimbjen për shtetin”, ka thënë Bahtiri.
“Mjaft është mjaft! Qytetarët nuk kanë votuar për bllokadë, por për shpresë. Jo për heshtje, por për zë të fuqishëm. Jo për pazare, por për shtet,” ka shkruar ai në një reagim publik.
Bahtiri ka drejtuar një thirrje të qartë për reflektim ndaj partive opozitare, duke i ftuar që të marrin përgjegjësi për, siç e ka quajtur ai, “turpin historik” që po i bëhet institucioneve të vendit.
“A ka më turp se sa një Kuvend me 100 deputetë shqiptarë që nuk arrin të zgjedhë institucionet e shtetit të vet?”, ka pyetur ai, duke theksuar se Kosova nuk është një lodër politike, por një amanet i shenjtë i brezave të kaluar që kanë sakrifikuar jetën për lirinë dhe shtetin.