Gropa u mbyll në kufi me Serbinë pasi Policia kishte hapur në afërsi të vijës administrative kufitare pa koordinim paraprak me KFOR-in

Publikuar më:

KFOR-i reagon pas raportimeve për ndërhyrjen në rrugët ilegale në veri: Vepruam për të shmangur tensionet, pa penguar Policinë e Kosovës

Para disa ditësh u raportua se njësitë e KFOR-it kanë ndërhyrë në disa rrugë ilegale në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, konkretisht në zonën e Zubin-Potokut, duke i bërë ato sërish të kalueshme për automjete.

Sipas raportimeve, këto rrugë ishin bllokuar më herët nga Policia e Kosovës, për të parandaluar kontrabandën dhe kalimet ilegale, shkruan IndeksOnline.

Në një deklarim zyrtar për IndeksOnlinen, KFOR-i bën të ditur se hendeqet ishin hapur në afërsi të vijës administrative kufitare, në zona të ndieshme dhe pa koordinim paraprak me KFOR-in.

KFOR-i deklaron se ka vendosur t’i mbushë ato, për të shmangur çdo rrezik për tensione apo keqkuptime në këtë zonë, duke njoftuar më parë të gjitha palët, përfshirë institucionet e Kosovës dhe forcat e armatosura të Serbisë.

“Hendekët ishin hapur në zona të ndjeshme përgjatë vijës administrative kufitare, pa miratim paraprak nga KFOR-i, prandaj ndërhymë për të shmangur tensionet dhe keqkuptimet mes palëve,” thuhet në reagimin e KFOR-it për IndeksOnlinen.

Sipas deklaratës, KFOR-i është autoriteti përfundimtar për kontrollin dhe integritetin e vijës kufitare, bazuar në mandatin e përcaktuar me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe si i tillë ka të drejtë të ndërmarrë veprime të tilla.

KFOR-i thekson se ky veprim nuk ka penguar dhe nuk pengon operacionet e Policisë së Kosovës në luftën kundër kontrabandës dhe trafikimit dhe se misioni i NATO-s i ka ofruar mbështetje Policisë së Kosovës, për vendosjen e pengesave në anën kosovare të vijës kufitare, nëse kjo konsiderohet e nevojshme.

“KFOR-i mbetet i përkushtuar ndaj zbatimit të mandatit të tij të OKB-së për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit – EULEX, në përputhje me përgjegjësitë e secilit institucion të sigurisë”, thuhet në reagim.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.