Gazetari Lirim Mehmetaj ka bërë publike një zhvillim të ri brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Sipas tij, Taulant Kurti, vëllai i kryeministrit Albin Kurti, është emëruar në një pozitë në Zyrën për Operime, që merret me Shitje dhe Blerje të Energjisë Elektrike.
Kjo drejtori luan një rol të rëndësishëm në menaxhimin e transaksioneve të energjisë – duke përfshirë shitjen dhe blerjen e rrymës nga KEK-u.
Gazetari Mehmetaj, përmes një statusi në rrjete sociale, ka ngritur pikëpyetje rreth përzgjedhjes së Kurtit në këtë pozitë, duke theksuar se ai nuk ka përgatitjen profesionale për këtë rol dhe se brenda institucionit nuk dihet kush dhe si ka marrë vendimin për emërimin e tij.
As nga KEK-u, e as nga Zyra e Kryeministrit, deri tani nuk ka ndonjë sqarim zyrtar për këtë emërim.