Gazetari Lirim Mehmetaj po pretendon se një hetues policor i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, i cili ishte duke hetuar disa raste ku dyshohet se ishte përfshirë ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është përfshirë në një aferë korruptive.
Sipas Mehmetajt, zyrtari policor Rrahman Përçuku, ka përfituar një grant me vlerë 60 mijë euro nga ministria e Bujqësisë, në emër të bashkëshortes së tij.
“Hetuesi që ka pas me hetu Faton Pecin te krimet ekonomike për aferën e fundit, por edhe aferat e tjera përfshirë këtë për funksionalizimin e fabrikës për grumbullimit të nënprodukteve shtazore ka dalë që është përfitues i subvencioneve nga Faton Peci”, pretendon Mehmetaj.
Në një video ai tregon listën e përfituesve të granteve, ku si e katërta në listën e përfituesve del Halime Përçuku BI me projektin: “Investime në turizmin rural-Bujtina”.
“Zonja që e ka përfitu grantin është bashkëshortja e Rrahman Përçukut i cili supozohet mi hetu aferat korruptive të Faton Pecit. Tash veç diçka duhet me mendu. Paramendojeni dikë që nuk e ka qasjen në informacion që e kam unë edhe kish shku si pa të keq në hetuesi me paraqit rastet korruptive të Faton Pecit. Cka ndodhë aty? Edhe në momentin që zyrtari largohet prej hetuesisë ky e thërret Faton Pecit edhe i thotë qiky erdh. Edhe ndodhë shantazhi atje“, thotë Mehmetaj.