Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e paauditurara të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ka deklaruar shpenzime prej mbi 1 milion e 702 mijë euro gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, sipas raportit financiar të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas këtyre të dhënave, pjesa më e madhe e buxhetit zgjedhor është dedikuar për aktivitete promovuese, ku mbi 1 milion e 182 mijë euro janë shpenzuar për reklama, organizim të konferencave dhe reprezentacione publike.
Shpenzime të konsiderueshme janë evidentuar edhe në kategori të tjera, përfshirë afër 200 mijë euro për transport, mbi 36 mijë euro për paga dhe kompensime për stafin e angazhuar gjatë fushatës, si dhe mbi 41 mijë euro për blerje të mallrave dhe pajisjeve të nevojshme.
Për shpenzime të përgjithshme, VV ka deklaruar një shumë prej mbi 230 mijë euro.
Në të njëjtën periudhë, nga 16 gushti 2024 deri më 9 shkurt 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar të hyra në vlerë prej mbi 1 milion e 112 mijë euro.
Nga kjo shumë, më shumë se 1 milion e 80 mijë euro janë të ardhura të siguruara nga buxheti, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga donacione dhe burime të tjera të të ardhurave, që kapin vlerën mbi 26 mijë euro.
Lidhur me këto raporte, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se ka 10,981.55 euro pasuri afatgjate, si në tokë, objekte dhe pajisje.
Ndërsa si pasuri afatshkurta në fillim të fushatës kishte deklaruar 2.154,474.70 euro, derisa në fund të elektoratit kishin deklaruar 792,166.86 euro. Pasuri këto që vlejnë për paraja dhe ekuivalentet e tjera të parasë.