Skandal: Qeveria e Kurtit i jep tender kompanisë së lidhur me Radoiçiqin, të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit

Publikuar më:

Kompania e “bosit të veriut” po merr tender edhe tani kur qeveria drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

Në fakt një ministër i Kurtit i ka dhënë tender kompanisë së lidhur me të kërkuarin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu ka dhënë një tender prej gati 600 mijë euro grupit të operatorëve ekonomik B CORP SH.P.K. ; Europa Partners SH.P.K. ; RAD D.O.O.

Kjo e fundit, Rad D.O.O pretendohet dihet se është pronë e Milan Radojiçiq, shkruan Gazeta Infokus.

Në fakt, kompania Rad në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit figuron si pronë e Radule Steviç, por realisht ajo është pronë e Milan Radojiçiq.

Kjo kompani këtë të mërkurë mori tender për Mirëmbajtjen Verore dhe Dimërore 2021-2022 të Rrugëve Nacionale dhe Rajonale nga Ministria e Infrastrukturës.

Ky konzorcium, në fakt fitoi Lotin 2, në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale për qytetin e Mitrovicës.

Gazeta Infokus ka raportuar edhe muaj më parë se janë dy kompani nga Zveçani, që zakonisht marrin miliona euro nga buxheti i shtetit përmes tenderëve publik.

Infokus ka gjetur se “P.T.P RAD” dhe “RAD D.O.O” që kanë të njëjtin pronar, në tri vitet e fundit kanë marrë thuajse të gjithë tenderët për kryerjen e punimeve në komunat e Kosovës me shumicë serbe.

Radule Steviç është personi që figuron si pronari i këtyre dy bizneseve, sipas të dhënave zyrtare të prezantuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

“PTP RAD” është e regjistruar në vitin 2013, kurse “RAD D.O.O” në vitin 2018. Këta dy operatorë kanë deklaruar se kryejnë 32 veprimtari ekonomike.

Nga ndërtimi i objekteve banesore, rritja e derrave, kultivimi i hardhive e deri tek ueb portalet, janë punët që bëjnë këto biznese.

Por ndonëse numri i punëve që bëjnë është mjaftë i madh, këto dy biznese figurojnë vetëm më nga një të punësuar.

Gazeta Infokus ka provuar të kontaktojë me pronarin e këtyre dy bizneseve, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Por kush është Milan Radojiçiq?

Milan Radojiçiq është i afërt i Zvonko Veselinoviç, të njohur si ‘babai i urës së Ibrit’.

Për Veselinoviçin është raportuar shumë, madje është thënë se ndikimi i tij politik në veri por edhe në Serbi është aq i madh, sa ai kishte vendosur për heqjen ose jo të barrikadës mbi urën e Ibrit.

Me ikjen dhe angazhimin e tij në Beograd, Zvonko i la pushtetin në veri Milan Radojiçiqit, që nga disa serbë po quhet si ‘Zoti i veriut’, krejt kjo pasi në tri komunat me shumicë serbe në veri nuk mund të merret asnjë vendim pa e mbështetur Radojiçiq.

Për Radojiçiqin u tha shumë, por vlen të sqarohet se pushteti i tij shtrihet në veri me kontrollin që ushtron ai si nënkryetar i Listës Serbe. Milan Radojiçiq dhe disa të afërm të tij, janë parë në fushatën e LS në Leposaviq, e për të cilin takim.

Radojiçiq nisi operacionet e tij që në zgjedhjet për president të Serbisë, ku grupi i tij bleu votat e romëve të Mitrovicës për Aleksandër Vuçiqin. Më pas, ai merrte pjesë në çdo aktivitet të Listës Serbe.

Rrahjen e disa policëve kosovarë në veri që kishin shkuar për të sekuestruar disa materiale që po regjistronin popullsinë serbe, u mor vesh i pari nga Radojiçiq. Kjo pasi, siç raportoi, kishte qenë vetë ai që kishte organizuar sulmin ndaj tyre.

Raportimet për djegien e shumë veturave në veri, përfshi këtu edhe veturën e tashmë të ndjerit Oliver Ivanoviq, dyshohet se e bënte vetëm një grup. Ishte ai i Milanit, i cili me këto akte synonte të frikësonte çdokënd që nuk i përshtatej atij, shkruan Gazeta Infokus.

Frika që mbillte Radojiçiq nuk lidhej vetëm me djegie veturash. Ai dyshohet se hidhte edhe granata nëse ishte e nevojshme. Emri i Radojiçiq lidhet edhe me sulmin me granata ndaj shtëpive të dy serbëve vetëm e vetëm pse ishin bërë pjesë e FSK-së.

Radojiçiq ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanoviq, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri. Në këtë rast nuk kishin ndërhyrë Policia e Kosovës, ani pse ishin vënë në rrezik jetët e disa personave. Mos ndërhyrja e Policisë, ishte bërë pikërisht për shkak të kontrollit që ka Milan’i mbi ta.

Ndërkaq, pushtetin e Radojiçiqit e konfirmoi edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u takua me të. Për këtë, Haradinaj ishte arsyetuar se ai takohet me përfaqësues që i zgjedhin vetë serbët, dhe nuk mund t’i zgjedhë ai.

Sidoqoftë, Radojiçiqin po e kërkojnë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, pasi në një përgjim të disa politikanëve serbë ai përmendet si urdhërdhënës, ndërkaq shteti serb si organizator. 

   

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.