Ish patrioti dhe profesori mitrovicas, Çerkin Ismaili, që një jetë ia kushtoi atdheut

Publikuar më:

Janë bërë mbi 13 vite kur u nda nga kjo botë fizikisht profesori e letrari i njohur, Çerkin Ismaili, por vepra e tij kombëtare e intelektuale mbetet përjetësisht e gjallë në brezat e tanishëm e ata të ardhshëm.

Profesori, Çerkin Ismaili, ia kushtoi një jetë të tërë angazhimit të paepur kombëtar, arsimimit të brezave të tërë, e letërsisë me plot pasion.

Ismaili lindi në vitin 1948 në fshatin Banjskë të Vushtrrisë, kurse shkollimin fillor e kreu në Smrekonicë për të vazhduar me gjimnazin klasik në Vushtrri. Qysh gjatë shkollimit të mesëm Ismaili filloi të botojë në shtypin letrar të kohës krijimet e para duke shfaqur një talent të rrallë. Nga gjimanzi vazhdoi studimet në fushën e albanologjisë në Fakultetin Filozofik të auniversitetit të Prishtinës.

Përgatitja dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm bëri që ai akoma si student të filloi punën e profesorit në gjimanzin e Vushtrrisë, lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe asaj Latine. Angazhimi i tij jetësor qysh nga rinia ishte shumëdimensional, andaj pas mbarimit të studimeve, një kohë redaktoi gazetën “Trepça” në Mitrovicë, kurse pranvera “e nxehtë” e vitit 1981 e gjeti duke punuar në shkollën e mesme ekonomike në Mitrovicë. Ismaili jo që nuk qëndroi indiferent, por ishte i angazhuar kokë e këmbë në lëvizjen e demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981, që dridhën për herë të parë themelet e Jugosllavisë.

Për shkak të angazhimit dhe bindjeve të tij kombëtare e kundër padrejtësive, e çlirimit të Kosovës, profesor Ismaili u largua nga puna e u dënua me burg. Por duket se dënimet për shkak të angazhimit kombëtar, le që nuk e zmbrapsën në rrugën e tij, por vetëm sa e forcuan dhe e shtuan aktivitetin e tij për çështjen kombëtare.

Gjatë viteve 80-ta qëndroi për dy vite në Dalmaci duke punuar punëtor krahu, për shkak se përndjekjet e pushtetit jugosllav nuk kishin të ndalur. Vet pushteti duke e ditur rëndësinë e angazhimit të tij, impaktin që kishte në mesin e intelektualëve dhe popullit shqiptar të Kosovës, e burgosi sërish në vitin 1992. Shërbimi sekret jugosllav në vitin 1999 e kishte klasifikuar në listën e intelektualëve të Mitrovicës, që i kishte paraparë t’i likuidonte.

Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh si gjimnazist, kur edhe ka filluar t’i botojë shkrimet e para. Disa nga botimet e profesor Çerkin Ismailit janë: “Lindjet e shpërndara”, poezi, Prishtinë, 1993; “Tela të këputur,” poezi, Mitrovicë,1997; “Drama e qëndresës së Vocëve të Shalës së Bajgorës”, monografi, Prishtinë, 1998,“Shtrëngata”, roman, Prishtinë, 2006; “Ethe të trishta’, roman, Prishtinë, 2009. Përveç këtyre veprave, autori ka botuar edhe një mori recensionesh, vëzhgimesh letrare dhe esesh.

Gjithashtu, për veprimtarinë e tij letrare janë shkruar një mori kritikash dhe studimesh letrare. Disa herë ka marrë çmime letrare për poezi. Ishte bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Klubit Letrar “Lumi i bardhë” në Mitrovicë dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare “Fjalë e valë” që botohet në Mitrovicë. Po ashtu ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Në përvjetorin e parë të vdekjes u botua vepra e tij me poezi “Reliktet e Mallkimit”, të cilën autori e la në dorëshkrim. Vepra e tij letrare është vlerësuar lartë nga studiues të fushës. Poeti Sabit Idrizi ka shkruar kritikë për veprën letrare të Ismailit, në veçanti veprën me poezi, “Gjurmë shpirti” të cilën e vlerësoi lartë në aspektin përmbajtësor e atë letrar.

Profesori Ismaili kujtohet për angazhimin e rrallë kombëtar e vepra të lartësuara letrare, që ai e la trashëgim përjetësisht për brezat e ardhshëm.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.