“Stenta 1”, prokuroria kërkon dënimin e Ferid Aganit dhe Gani Shabanit

Publikuar më:

fjalën përfundimtare, prokuroria ka bërë ndryshimin e dispoviztivit të aktakuzës dhe po ashtu ka kërkuar dënimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të kësaj ministrie, Gani Shabani të akuzuar për korrupsion, ndërsa mbrojtja po kërkon lirimin e tyre.

Këto deklarime, u dhanë në seancën e së premtes gjatë fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshimi i dispozitivit të aktakuzës, sipas prokurores Florie Shamolli është bërë konform nenit 350 të Kodit të Procedues Penale dhe atë për sa i përket pjesës ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit” dhe vlerës së dëmit të shkaktuar.

“Arsyeja pse unë jam tërhequr nga pjesa ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit”, ne kemi një ekspertizë të prokurimit e cila konstaton se subvencionet nuk i nënshtrohen ligjit të prokurimit dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë e kam bërë tërheqjen në atë pjesë”, ka thënë prokurorja Shamolli.


Ndërsa, vlera e dëmit sipas saj nuk është 4 milionë e 555 mijë e 553 euro siç ishte përcaktuar më parë në aktakuzë, por është 11 mijë e 450 euro, shumë kjo për të cilën prokurorja tha se ishte sipas ekspertit financiar.

Tutje, në fjalën e saj përfundimtare prokurorja Shamolli ka thënë se nga provat të cilat janë prezantuar dhe administruar në shumë shqyrtime gjyqësore, në mënyrë të qartë është vërtetuat se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.

Këtë fakt, ajo tha se prokuroria e mbështet në dy marrëveshjet e nënshkruara me dy spitalet private IMH dhe EDA, e të cilat marrëveshje sipas saj ishin nënshkruar për një periudhë kohore njëvjeçare, ndërsa shumë pacientë ishin dërguar deri më 31 dhjetor 2015 edhe pse ministri i Shëndetësisë në atë kohë, tani i akuzuari Ferid Agani si dhe Gani Shabani, kishin marrë informacione nga Inspektorati Shëndetësor se këtyre dy spitaleve iu ka kaluar licenca dhe personat të cilët kryenin operimin nuk kishin kualifikim adekuat.

“Por, të njëjtit nuk ndërmorën asnjë veprim në mënyrë që të ndalojnë këta persona që të mos kryejnë intervenime mjekësore dhe gjitha mjetet të derdhen në këto dy spitale private”, shtoi tutje prokurorja.

E njëjta i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Pas këtij deklarimi të prokurores Shamolli rreth ndryshimit të dispozitivit të aktakuzës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi i ka pyetur të akuzuarit pas këtij ndryshimi të deklarohen rreth fajësisë, mirëpo dy të akuzuarit Agani dhe Shabani u deklaruan të pafajshëm.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Agani, avokati Adem Vokshi në fjalën e tij përfundimtare i ka propozuar gjykatës që në bazë të nenit 364, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPPRK-së, në mungesë të provave të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.

Avokati Vokshi deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues ka argumentuar përmes provave të administruara se përveç marrëveshjeve me dy spitalet Inter-Med dhe EDA, jashtë institucioneve publike janë nënshkruar marrëveshje edhe me 8-9 spitale tjera me afat 1 vjeçar edhe para se i mbrojturi i tij Ferid Agani me qenë ministër i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sepse sipas dispozitave ligjore kanë qenë obligative për lidhjen e marrëveshjeve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjer në hyrjen në fuqi të ligjit mbi shëndetësinë, i cili ka hy në fuqi në prill të vitit 2013, e pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk ka pas nevojë më për këto marrëveshje”, ka thënë tutje avokati Vokshi.

I njëjti ka thënë se fakti që ministri i Shëndetësisë është njohur me udhëheqësit e këtyre dy institucioneve, nuk e ngarkon të njëjtin për ofrimin e ndonjë privilegji të këtyre dy institucioneve.

Kjo ngase sipas tij, si ministër i MSH-së nuk është njohur vetëm me këta dy persona, por është njohur me të gjithë udhëheqësit e institucioneve shëndetësore private në kohën sa ka qenë ministër.

“Çështja se iu ka ofruar vetëm këtyre dy spitaleve për të përfituar nga shërbimet e tyre të fituara po ashtu nuk qëndron, sepse ka qenë në vullnetin e pacientit që të zgjedh se në cilin spital privat do të merr shërbime shëndetësore dhe në këtë drejtim ky vullnet i tij ka qenë i përcaktuar edhe me dispozita ligjore”, shtoi më pas avokati Vokshi.

Ndërsa, çështja e pagesës prej 100% dhe 70%, sipas avokatit Vokshi nuk duhet të qëndrojë fare në dispozitivin e ngarkesës për të akuzuarin Agani, sepse me ekspertizë nga ana e ekspertit është argumentuar se nuk ka pasur asnjë rast dhe nuk ka pasur të drejtë të përfitojë 100%.

Por edhe sikur të vërtetohet një gjë e tillë në këtë drejtim, ai tha se kjo nuk do të thotë se i mbrojturi i tij Agani ka pas për qëllim të dëmtojë buxhetin e Kosovës, pasi që për shumën e pagesës ai tha se ka vendosur bordi ekzekutiv.

Fjalën e avokatit Vokshi e ka mbështetur i akuzuari Agani, i cili fjalën e tij përfundimtare ia dorëzoi me shkrim gjykatës.

Mirëpo, i akuzuari Agani sa i përket pjesës së ndryshuar të dispozitivit të aktakuzës, ka deklaruar se është i befasuar me këtë ndryshim pasi që sipas tij ky fakt ka qenë i qartë qysh në ditët e para të këtij procesi gjyqësor, madje ka qenë i qartë qysh në intervistën e parë tek prokurori Besim Kelmendi të cilit ai tha se ia ka paraqitur faktet për të cilat sot prokuroria i ka pranuar pas 6 viteve.

“Është për t’u habitur se si është e mundur një prej rasteve të shenjëstruara, si një prej aferave më të mëdha korruptive në Kosovën e pasluftës me mbi 4.5 milionë dëm në buxhetin e shtetit të pretenduar nga PSRK-ja, për 6 vite arrijnë në dëm të pretenduar prej 11 mijë euro, duke e anashkaluar plotësisht mundësinë e shkeljes së ligjit të prokurimit publik nga ana ime”, ka thënë Agani.

Agani deklaroi se gjatë këtij procesi gjyqësor është dëshmuar se në asnjë mënyrë dhe në asnjë moment nuk ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, pasi që sipas tij çdo gjë që ka ndërmarrë e ka ndërmarrë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Ai tha se ka bërë maksimunim e tij për të zhvilluar shërbimet publike të kardiologjisë invazive dhe kardiologjisë në vend.

I njëjti ka shprehur keqardhje se kjo aktakuzë në mënyrë flagrante është ndryshuar sot nga PSRK-ja dhe shtoi se me një ndryshim të tillë të aktakuzës u vërtetuar se nuk ka shkelur ligjin për prokurim publik.

“PSRK-ja prapë dështon në citimin e dispozitës ligjore relevante kur i referohet nenit 53, paragrafi 3 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, ku ligji i referohet Ministrisë por në përkufizimet e definicioneve në fillim të ligjit si ministër nënkuptohet ministri i Financave e jo ministri i MSH-së”, tha tutje Agani.

Tutje, Agani ka thënë se marrëveshjet e bashkëpunimit si detyrim ligjor iu kanë ofruar të gjitha spitaleve private të licencuara në vend pas ftesës që u është dërguar me e-mail zyrtar për takim të përbashkët në MSH, për çka ai tha se ekzistojnë edhe procesverbalet e këtyre takimeve.

Po ashtu, i akuzuari Agani deklaroi se gjatë këtij procesi gjyqësor është dëshmuar qartë se spitalet në fjalë kanë qenë të licencuara gjatë tërë kohës së ushtrimit të mandatit të tij si ministër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gani Shabani, avokati Skender Musa fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, ndërsa ka komentuar ndryshimin e aktakuzës.

Avokati Musa ka thënë se prokurorja e PSRK-së është thirrë në nenin 17, paragrafi 1 dhe nenin 53, paragrafi 3 të ligjit 03/2L në mënyrë të drejtë, sepse sipas tij pikërisht kjo dispozitë ligjore parasheh formën e lidhjes së marrëveshjeve për subvencione.

“Drejt e ka përshkruar edhe ekspertiza kur thotë se ka formë të shpalljes publike përmes mjeteve të informimit dhe praktikave të dërgimit të ftesave të drejtpërdrejta të operatorit ekonomik”, ka thënë tutje avokati Musa.

Në rastin konkret, avokati Musa tha se prokuroria nuk e ka marrë parasysh në detaje ekspertizën e ekspertit të prokurimit publik Hasim Krasniqi, i cili ka sqaruar se në rastin konkret është aplikuar mënyra e ftesës së drejtpërdrejtë në pajtim me nenin e cituar edhe në ndryshim të aktakuzës, e që lidhet me rregullin financiar 02/2009 dhe sipas tij në raste konkrete duhet të përdoret moduli standard i aprovimit të shpenzimeve, të cilin modul në mënyrë të ligjshme e ka përdorur MSH-ja.

Kurse, sa i përket ndryshimit të shumës së dëmit të pretenduar, avokati Musa ka thënë se PSRK-ja nuk e ka analizuar ekspertizën e ekspertit financiar, sepse sipas tij qartë është sqaruar se kompetencë ekskluzive e bordit ekzekutiv ka qenë përcaktimi i shumave të pagesës për shërbime të marra nga pacientët në institucione jopublike.

Ndërsa, sa i përket pretendimit për ndryshim të aktakuzës se i mbrojturi i tij ka nënshkruar marrëveshje me spitale pa licencë, tha se është e pasaktë pasi sipas tij spitalet kanë pasur licencë.

“Dhe po ashtu një fakt tjetër që PSRK-ja ose nuk e ka pa ose nuk e ka lexu as vet lëndën është që në këto tetë raste që janë në tabelën 7 si në ekspertizë, bordi ekzekutiv i ka aprovuar jashtë marrëveshjeve dhe nuk kanë të bëjnë më asnjë marrëveshje që janë paraqitur në aktakuzë dhe marrëveshjet nuk e kanë kufizuar asnjëherë dërgimin e pacienteve ne spitale tjera”, shtoi avokati Musa.

Po ashtu, ai deklaroi se sa i përket pretendimit se nuk e kanë furnizuar Klinikën e Kardiologjisë me material shpenzues, ai tha se është dashtë të lexohet ligji për buxhetin dhe prokuroria do e kishte vërejtur që MSH nuk mundet t’i ndërrojë kategoritë e buxhetit.

“Sikur të kishin përdorur kategorinë e subvencioneve për investime kapitale dhe shpenzime që në këtë rast thuhet për blerjen e barnave dhe materiale harxhues, atëherë pa dyshim që do të kishim të bëjmë me vepër penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, sepse është vijë tjetër buxhetore dhe nuk mund të ndryshohet brenda ministrisë”, tha avokati Musa.

I akuzuari Shabani në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij dhe se ndihet i pafajshëm, për çka i kërkoi gjykatës që të lirohet nga akuza.

Sipas tij, marrëveshjet e bashkëpunimit janë nënshkruar në bazë të udhëzimit administrativ 03/2010 që obligon të nënshkruajë marrëveshje neni 4, paragrafi 2, pika 5 dhe në rregullore e thesarit 02/2009, ku sipas tij theksohet decidivisht në nenin 43, paragrafi 4, se për t’u paguar subvencionet duhet të ketë vendim, marrëveshje, vendim nga organet qeveritare për themelimin e bordit ekzekutiv.

Ai tha se marrëveshjet janë nënshkruar nga ai dhe janë vazhduar për një vit, kurse sipas tij asnjëherë nuk është cekur se marrëveshjet kanë ekzistuar edhe në vitin 2011 në afatin 6 mujor.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike do të bëhet më 1 gusht 2022.

Ndryshe, ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.

Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Derisa rasti “Stenta 1”, kishte marrë njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë. /BetimipërDrejtësi

JU REKOMANDOJMË