Temperaturat kanë shënuar rënie në Kosovë, pas disa ditëve të nxehta.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte njoftuar se të dielën do të mbajë mot me shi në vendin tonë dhe se parashihet të ketë edhe reshje bore në viset e larta malore.
“Sa i përket temperaturave, ato do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstreme. Minimalet do të lëvizin ndërmjet -1 deri 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-8 gradë Celsius”, thuhej në njoftim.
Nga disa fotografi shihet se bora ka mbuluar shtëpitë diku në Kosovë, si të ishte “pika e dimrit”.
Ditëve të ardhshme, në javën e dytë të prillit, po parashihen kushte të motit të qëndrueshëm, e të thatë. Do të ketë më shumë kthjellime e diell.
Në pjesën e dytë të javës edhe vransira kalimtare, derisa edhe temperaturat do të shënojnë rritje edhe mbi 20C.