10 muaj burg për Elvis Jusufin, ia lyu me benzinë dhe deshi t’ia digjte veturën gazetarit Shkumbin Kajtazi

Publikuar më:

Me 10 muaj burg efektiv është dënuar Elvis Jusufi, i akuzuar se kishte tentuar t’ia vë flakën automjetit të gazetarit në Mitrovicë, Shkumbin Kajtazi.


Aktgjykimi është shpallur të hënën, nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Jusufi është ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë 20 euro për paushallin gjyqësor, kurse 30 euro për taksën për kompensim të viktimave të krimit.

Me aktgjykim, gjykatësi Beqiri e udhëzoi palën e dëmtuar në kontest civil për kërksën pasurore-juridike.

Prezent gjatë shpalljes së aktgjykimit ishte i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Gani Rexha.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 18 mars, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Natasha Radoviq, i akuzuari Jusufi ishte deklaruar fajtor.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 27 tetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Elvis Jusufit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 13 qershor 2020, rreth orës 23:30 minuta, në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicë, i shtyrë nga motive të ulëta si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i emocionuar për shkak të pakënaqësisë së tij me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi Zë”, me dashje, me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, automjetit të tipit “Golf 6”, në shfrytëzim nga i dëmtuari Shkumbin Kajtazi, duke e ditur vendndodhjen e automjetit të lartcekur, me një shishe të plastikës me mbishkrimin “Spring” të siguruar paraprakisht e të mbushur me benzinë, e kishte stërpikë atë në pjesën e sipërme të përparme të anës së majtë (mbi motor), e në gomën e parë të pjesës së majtë të përparme me një letër të ndezur kishte tentuar t’ ia vë flakën, por pasi ka dëgjuar alarmin e veturave të policisë kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’ rast nuk kishte arritur që ta realizoj apo kryejë veprën penale.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.