Paguan mbi 900€ për ‘ultra all-inclusive’, pas një dite “Sharr Travel” i njofton se oferta ishte me mëngjes dhe darkë

Publikuar më:

Pushimet që kishin planifikuar t’i kalonin në një nga resortet në Orikum, një familjeje kosovare iu kthyen në telashe. Pagesa që kishin bërë më 15 qershor në agjencinë Sharr Travel për pesë netë në një hotel, me shërbimin “Ultra All-inclusive”, doli të jetë “një gabim”. Nga kompania nuk janë përgjigjur në thirrjet e redaksisë, edhe pse fillimisht kërkuan “pak kohë”.

Një sinjalizues i Sinjalit ka bërë me dije se familja 3 anëtarëshe kishte kryer pagesën prej 937.50 euro, që t’i kalonin pesë netë në një hotel në Orikum të Shqipërisë.

Për ofertën që e zgjodhën çifti, morën zbritje prej 50% për fëmijën e tyre të moshës së mitur.

Pagesa u krye më 15 qershor, për çka ‘Sharr Travel’ i lëshoi klientit edhe një ‘Voucher’ në të cilin është i bashkëngjitur edhe kuponi fiskal.

Siç shihet më poshtë, në dokumentin që familja ka marrë thuhet se shërbimi për të cilin kanë paguar është “Dhoma treshe/Ultra All-inclusive/ 5 netë”.

Me shpresën që në vikend të nisen drejt Shqipërisë, ditën e Bajramit, familja mori një mesazh nga kompania.

“Ju shënova vetëm me ju lajmëru dhe me ju kërku shumë familje por oferta 75 euro është evtëm me mëngjes dhe darkë. Po më vjen shumë keq ka ndodhë gabim nga ana ime” – është mesazhi që ‘Sharr Travel’ ia dërgoi klientit

Sinjali ka mësuar se palët kanë pasur më pas një bisedë telefonike, ku nga kompania i është thënë se për shërbimin “Ultra All-inclusive” duhet të paguajnë çmim tjetër.

Për të marrë edhe versionin e kompanisë dhe sqarimin e tyre për këtë rezervim, Sinjali ka kontaktuar ‘Sharr Travel’ por s’ka marrë një përgjigje prej tyre.

Në telefonatën e parë, personi që është përgjigjur ka kërkuar pak kohë në mënyrë që posa të lirohen personat përgjegjës të lajmërohen, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe as s’janë përgjigjur në thirrjet e tjera të redaksisë.

 

JU REKOMANDOJMË