FIT kap Korab Gashin nga grupi i grabitësve, ishte arratisur për shtatë muaj

Publikuar më:

Grabitësi i shumëkërkuar i argjendarisë në Suharekë, Korab Gashi, u arrestua të hënën në mbrëmje pas një aksioni të gjerë, ku u angazhuan njësi të shumta policore. Gashi i cili arriti ta shijojë lirinë nga arratia që shtatë muaj, u kap mbrëmë në Prishtinë nga Njësia Speciale Intervenuese (FIT). Korabi është vëllai i Dukagjin Gashit, i cili u vra në nëntor të vitit të kaluar në operacionin për kapjen e tyre, në Dragodan të Prishtinës.

Grupi i të dyshuarve që kryen grabitjen e armatosur si në filma tashmë është kompletuar dhe së shpejti edhe Korab Gashi pritet të dalë para Gjykatës.

Ndaj tij është lëshuar urdhër për masën e ndalimit policor dhe brenda aftit ligjor, do të ushtrohet kërkesa nga Prokuroria për masën e paraburgimit.

Lajmin për arrestimin e tij e konfirmoi të hënën vonë edhe Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me iniciale (K.G.), i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e Grabitjes së argjendarisë në Suharekë. I apostrofuari me iniciale (K.G.) ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore.”

Çka dihet për grabitjen e argjendarisë ‘Diakos 2’ në Suharekë?

Aksioni i gjerë i Policisë së Kosovës në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar që kishte cak grupin kriminal i cili kreu grabitjen në argjendarinë ‘Diakos 2’ në Suharekë, u përcoll me konfrontim. Operacioni policor përfundoi me një grabitës të vrarë, Dukagjin Gashin, një zyrtar policor të plagosur dhe disa të arrestuar.

Por, Korab Gashi arriti të zhduket dhe të shpëtojë nga prangosja deri kur Policia ra në gjurmët e tij dhe organizoi aksionin e mbrëmshëm për ta kapur.

Gashi, me të kaluar kriminale, u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës më 13 dhjetor 2023, ku u bë e ditur se ndaj tij është lëshuar urdhërarresti nga organet e drejtësisë.

Dukagjin dhe Korab Gashi, Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku ishin cak i Policisë mesditën e 30 nëntorit. Njësi të shumta policore zbarkuan në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë dhe realizuan kontrolle në shtatë lokacione të ndryshme.

Lokacioni ku u vra i dyshuari Dukagjini ishte lagjja Dragodan në Prishtinë, ku u kapën disa nga të dyshuarit, por që u parapriu një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe Gashit.

Gjatë zhvillimit të operacionit, Dukagjin Gashi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të dyshuarin

JU REKOMANDOJMË