“Mund të ketë implikime serioze në siguri”- EULEX flet për hapjen e Urës së Ibrit

Publikuar më:

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano deklaroi se situata e sigurisë në vend është e brishtë dhe se ka shqetësime për tensione të mundshme. Sipas tij, agresioni në Banjskë dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, për çka shprehet se duhet të ketë edhe vëmendje të veçantë nga institucionet. Misioni i EULEX-it pret nga Serbia që të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin në Banjskë.

Barbano për KosovaPress ka folur edhe për iniciativën e hapjes së Urës së Ibrit, për çka konsideroi se ka implikime serioze në siguri.

“Situata e përgjithshme në Kosovë është e qetë, por e brishtë, veçanërisht në veri, kemi disa shqetësime për shfaqjen e vazhdueshme të krizës dhe arsyet e mundshme për tensione. Dhe siç tha edhe përfaqësuesi i lartë dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, z. Borrell, është koha që të ndalet ky cikël, ky rreth vicioz krizash dhe tensionesh. Tani është koha që të ndërtohet mbi institucionet, të vazhdohet angazhimi dhe të punohet në dialog, dhe të shkohet në qëllimet e ndryshme të dialogut, duke përfshirë themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë, ne vazhdimisht jemi të angazhuar në monitorimin e situatës, parandalimin e krizave të mundshme, dhe duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me akterët e tjerë në atë që quhet teknikisht, sistemi i sigurisë tre shtresash në Kosovë, ku reaguesi i parë i sigurisë është Policia e Kosovës, reaguesi i dytë i sigurisë është EULEX-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, dhe i treti është KFOR-i”, deklaroi ai.

Vëmendje të veçantë, shtoi ai, duhet të ketë Banjska e Zveçanit. Shefi i misionit të EULEX-it, tha se janë duke bërë patrullime në veri të vendit, gjithashtu se janë të gatshëm të reagojnë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës.

“Banjska e ka dëshmuar brishtësinë dhe cenueshmërinë e kësaj zone. Dhe kështu, kjo zonë kërkon vëmendje të veçantë. Ne jemi vigjilentë për të parandaluar çdo kthim, çdo rikthim të mundshëm të dhunës, përmes pranisë sonë, vigjilente dhe të dukshme. Ne po kryejmë patrullime 24/7 në veri me formën tonë në njësinë policore dhe jemi të gatshëm të reagojmë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, përkatësisht të Policisë së Kosovës, si reagues i dytë i sigurisë me forcën tonë të reagimit të shpejtë për të adresuar trazirat e mundshme civile”, shtoi ai.

Teksa komentoi agresionin serb në Banjskë të Zveçanit, Barbano tha se pret që Serbia të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin.

“Presim që Serbia të ushtrojë fuqinë e saj për të mbajtur përgjegjës ata që kryen këtë sulm. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që të rrisim ndërgjegjësimin dhe vigjilencën tonë për të parandaluar që një sulm i tillë të mund të përsëritet. Dhe jo vetëm EULEX-i, por të gjitha institucionet e tjera të sigurisë. Nuk mund të flas se çfarë po bën KFOR-i, për të parandaluar një sulm të tillë, por është e qartë se Kosova ka përforcuar praninë dhe kapacitetet e saj përgjatë kufirit. Por edhe Serbia duhet të bëjë të pamundurën për të parandaluar që një dukuri e tillë të përsëritet. Dhe nëse diçka do të përsëritej, kjo do të thotë se me shumë gjasa, institucionet në Serbi, institucioni i sigurisë në Serbi nuk kishte arritur të parandalonte një sulm si ky. Pra, përsëri, një sulm mund të jetë i mundur, por ne e shohim atë si një mundësi shumë të rrallë për të ndodhur. Autorët e sulmit në Banjskë duhet t’i nënshtrohen drejtësisë. Dhe kjo bëhet përmes institucioneve përkatëse dhe autoriteteve përkatëse”, theksoi ai.

Ai nuk komentoi deklarimet e institucioneve vendore për baza ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, veçse shtoi se kjo i përket KFOR-it.

Situatë fatkeqe e konsideron bojkotin e serbëve në katër komunat në veri të vendit në procesin zgjedhor për shkarkimin apo jo të kryetarëve.

“Kjo është një situatë shumë fatkeqe, na vjen keq që qytetarët serbë të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtat e tyre, duke larguar kryetarët e komunave të cilët u zgjodhën me një mbështetje shumë të vogël të votuesve dhe në zgjedhjen e kryetarëve të rinj dhe institucioneve të reja që pasqyrojnë vërtetë përbërjen e popullsisë në veri. Ushtrimi i votës është një e drejtë parësore e qytetarëve. Duke mos e ushtruar (këtë të drejtë), e drejta e votës po lë një vakum, një boshllëk që më pas provokon uljen e të drejtave të të njëjtëve qytetarë. Pra, është diçka në të cilën ne prisnim një pjesëmarrje më të madhe”, tha ai.

Barbano deklaroi se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë, ani pse respektojnë pavarësinë e institucioneve të Kosovës.

“Pas marrëveshjes së Bratislavës, ne kemi edhe takime periodike për të vlerësuar situatën e sigurisë në veri, me praninë e KFOR-it dhe me pjesëmarrjen e KFOR-it, kur është e nevojshme. Ne kemi këtë shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe monitorojmë aktivitetet e tyre. Megjithatë, duke e bërë këtë, ne vazhdimisht e respektojmë pavarësinë e institucioneve të Kosovës dhe i përmbahemi parimit të mosndërhyrjes. Kjo do të thotë se kur ata janë duke kryer operacione që bazohen në hetimin e tyre, pra nevojat e tyre për të zbatuar ligjin, ne pritet të marrim informacion dhe njoftim për aktivitetet në vazhdim, jo një konsultim. Sepse ne nuk mbajmë më mandat ekzekutiv. Pra, ne duhet të jemi të informuar për të dhënë mendimin tonë për situatën dhe për të na lejuar të fillojmë veprimet tona për të monitoruar aktivitetet në terren. Në këtë fushë ka vend për përmirësim, sigurisht që koordinimi, bashkëpunimi me Policinë e Kosovës po përmirësohet dita-ditës, por ka ende vend për përmirësim në mënyrë që të bëhet njoftimi i duhur dhe paraprak i operacioneve me misionin dhe reagues të tjerë të sigurisë në zonë”, u shpreh ai.

Iniciativa për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, ai deklaroi se duhet të trajtohet në kuadër të dialogut.

“Kjo është diçka që duhet trajtuar në kuadër të dialogut, natyrisht, është një aspekt për të cilin ne jemi të shqetësuar sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim”, ka theksuar Barbano.

JU REKOMANDOJMË