Zyrtari i UNMIK-ut që u shpall “non grata” po bënte presion mbi qytetarët në Mitrovicë

Publikuar më:

Një zyrtar ndërkombëtar, brenda UNMIK-ut, me inicialet P.T. ka bërë të ditur se zyrtari rus i UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov, i cili sot u shpall “persona non grata” nga Republika e Kosovës, ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale.

“Që moti Antonov ka raporte shumë të mira me strukturat serbe në veri të Kosovës, mirëpo kohën e fundit ai ishte duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi strukturat politike serbe në komunat me shumicë serbe”, ka thënë zyrtari ndërkombëtar P.T. brenda administratës së UNMIK-ut. Ai, ka shtuar se Antonov, në të kaluarën ka punuar si zyrtar policor.

Ai më tej ka vazhduar se, “aq presion të madh ka ushtruar, sa për këtë serbët e kanë lajmëruar edhe Petar Petkoviqin dhe presidentin serb Vuçiqin”, raporton televizioni publik.

Antonov, sipas këtij zyrtari ndërkombëtar në UNMIK, ka qenë i angazhuar edhe në zmadhimin e elementit prorus në bllokadat që ishin bërë në veri në shtatorin e këtij viti, kur serbët po kundërshtonin masat e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa.

“Antonov ka pasur kontratë me UNMIK-un deri në qershor te vitit 2022, dhe UNMIK dy herë ka pranuar vërejtje për veprimet e tij në Mitrovicë”, ka thënë zyrtari ndërkombëtar.

JU REKOMANDOJMË