Vushtrri: Tre të rinj pasi shohin Policinë gjuajnë në tokë 48 qese me drogë, arrestohet një 23-vjeçar

Publikuar më:

Përdorimi i substancave narkotike është shndërruar në dukuri tejet shqetësuese. Çdo ditë raportohen dhjetëra raste kur Policia kap në flagrancë persona të cilët janë kryesisht të moshave të reja, me lloje të ndryshme të narkotikëve, të cilat zakonisht i kanë për konsum personal, raporton sinjali.

Një rast i tillë kishte ndodhur edhe në fund të korrikut, kur gjatë kohës që po patrullonin te ‘Stadiumi i Gumës’ në Vushtrri, njësitet policorë kanë vërejtur tre persona duke bërë lëvizje të dyshimta.

Sinjali mëson se tre të dyshuarit posa kanë parë Policinë, kanë hedhur në oborrin e Qendrës për Punë Sociale 48 qese me substanca narkotike. Policët i kanë gjetur ato në tokë, me ç’rast i kanë sekuestruar e më pas kanë shoqëruar tre të dyshuarit në stacion për intervistim.

Pas zhvillimit të hetimeve nga pamjet që janë siguruar nga kamerat e sigurisë, Policia ka kryer bastisje në shtëpinë  e 23-vjeçarit E.H., si dhe i njëjti është arrestuar.

Me urdhër të prokurorit, 23-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy shokëve të tij iu është ndërruar statusi nga i dyshuar, në dëshmitarë.

JU REKOMANDOJMË