Vazhdon kopjimi në testin e klasëve të 9-ta, përjashtohen disa nxënës

Publikuar më:

Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta, sot i janë nënshtruar testit të arritshmërisë. Testimi në të 155 qendrat ka filluar në kohë, por që edhe këtë herë ka pasur nxënës që janë përjashtuar nga testi për shkak të përdorimit të telefonit gjatë kohës së testimit.

Në qendrat e testimit në secilin klasë kanë qenë nga 15 nxënës, ndërsa është vërejtur respektim i masave anti-COVID.

Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, tha se testimi ka filluar me kohë në të gjithë qendrat e testimit, derisa ka bërë të ditur se disa nxënës janë larguar nga testimi për shkak të përdorimit të telefonave.

Elezi tha se këtë herë nuk kanë vërejtur që nxënësit kanë postuar testin në rrjetet sociale.

“Sot në të gjitha qendrat e testimit ka filluar me kohë testi i arritshmërisë. Nga ora 6:30 kemi filluar shpërndarjen nga divizioni këtu dhe në fund Prishtinën, mirëpo në orën 10 të gjitha qendrat kanë qenë në gatishmëri…Nuk ka pasur probleme të theksuara, ka pasur ndonjë ekses të vogël kur nxënësit kanë pasur telefona, mirëpo komisionerët e kanë kryer detyrën dhe disa nxënës janë larguar nga testi…Në fillim të procesit nuk kam pa që kanë qitur në rrjete sociale, shpresoj që nuk ka pasur fare, mirëpo edhe nëse ka arritur dikush ta postoj në rrjetet sociale ngase thash disa nxënës i kemi larguar nga testi për shkak të përdorimit të telefonave, besoj që ato nuk kanë ndikuar në proces ngase nxënësit e tjerë nuk kanë mundur të kyçen në ato rrjete se administruesit besoj e kanë kryer punën e vet”, tha ai.

Në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica”, testin e arritshmërisë e kanë mbajtur nxënësit e kësaj shkolle dhe ata të shkollës “Iliria”.

Drejtoresha e shkollës fillore të mesme të ulët “Faik Konica”, Shqipe Vllasaliu- Mehmedi, tha se gjithçka ka shkuar në rregull dhe se nuk kanë pasur ndonjë parregullsi.

“Shkolla fillore e mesme e ulët “Naim Frashëri” është qendra numër 4, këtu sot do të realizojnë testin e arritshmërisë nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët “Iliria” dhe “Naim Frashëri”. Nga shkolla “Iliria” janë gjithsej 147 nxënës, kurse 103 nxënës janë të shkollës “Naim Frashëri”, dy prej tyre janë të komunitetit boshnjak…Siç edhe po e shini edhe ju gjithçka është duke shkuar në rregull, të gjithë administruesit janë në vendin e duhur, të gjithë nxënësit janë në vendin e duhur. Edhe ministria po na mbështet edhe DKA po na mbështet, kështu që besoj edhe ju jeni dëshmitar që gjithçka është duke shkuar në nivelin më të mirë…Të gjithë nxënësit i kanë maskën me vete, të gjithë janë duke e ruajtur distancën, nëpër klasa janë më së shumti 15 nxënës, do të thotë nga një nxënës nëpër bankë. Kështu që, gjithçka është në nivelin e duhur”, tha ajo.

Ndërsa, në shkollën fillore të mesme të ulët “Elena Gjika”, testin e arritshmërisë e kanë mbajtur nxënësit e tri shkollave. Sipas drejtorit Betim Sylejmani, i gjithë procesi ka shkuar në rregull.

“Gjithçka ka filluar mbarë, testi ka filluar me kohë, nxënësit janë sistemuar me kohë ..testi ka filluar ashtu siç ishte paraparë në orën 10:00…Janë tri shkolla Model “Qamil Batalli”, “Shkolla e Gjelbër” dhe shkolla “Emin Duraku”. Gjithsej janë 200 nxënës…Të gjitha kushtet janë siguruar dhe janë bërë me kohë për t’u pajisur me mjete mbrojtëse anti-COVID, nxënësit janë të sistemuar ashtu që nuk janë afër njëri-tjetrit, por janë të vendosur në distancë. Dezinfektuesit janë në çdo klasë, po ashtu maskat janë duke i bartur edhe gjatë testit”, tha ai.

Pas përfundimit të testimit, nxënësit deklaruan se gjithçka ka shkuar në rregull, por që disa pyetje kanë qenë nga mësimet që nuk i kanë mësuar për shkak që mësimin herë është mbajtur online e herë me prezencë fizike në shkolla.

Nxënësi i klasës së nëntë në shkollën “Naim Frashëri”, Doni Karahoda, tha se testi nuk ka qenë i vështirë dhe se gjithçka ka shkuar në rregull.

“Pyetjet nuk kenë shumë të vështira, pyetjet kanë ra prej mësimeve që i kemi mësuar. Por, tash për një vit klasën e tetë që shumicën e kemi kaluar prej shtëpisë, ka pasur disa pyetje ku mësimet nuk i kemi mësuar edhe ai ka qenë një problem. Në përgjithësi testi ka qenë i lehtë, nuk ka pasur ndonjë problem. Më ka lënë përshtypje edhe për kujdestarët që kanë treguar sjellje profesionale, nuk na kanë lanë me kopju”, tha ai.

Edhe Fjolla Gashi, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën “Iliria”, tha se gjatë testimit nuk ka pasur ndonjë problem.

“Testi ka shkuar shumë mirë, nuk ka pasur probleme dhe pyetjet kanë qenë krejt prej atyre mësimeve që i kemi mësuar edhe pse kemi qenë më të ngarkuar edhe mësimi online na kë bërë më shumë dëm. Por, megjithatë krejt pyetjet kanë qenë mirë”, tha ajo.

Testin e arritshmërisë e kanë monitoruar mbi 2 mijë administratorë, ndërsa rezultatet e këtij testi do të shpallen më 7 qershor.

JU REKOMANDOJMË