UIBM-it nuk i akreditohen disa programe, përfshirë edhe drejtimet ku si bartës ishin rektori dhe prorektorja – nuk përkonin me fushën e studimit

Publikuar më:

Problemet me Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë nuk kanë të ndalura.

Përveç “dallavereve” me punësime, rrahje e mosmenaxhim efikas, ky institucion nuk ka arritur t’i akreditojë disa programe studimore, shkruan Jepi zë.

Në mesin e tyre janë edhe dy programe ku si bartës ishin vetë rektori Alush Musaj dhe prorektorja Ajtene Avdullahu.

Në dokumentin e siguruar nga “Jepi zë” sqarohen të gjitha arsyjet pse nuk janë akredituar këto programe.

Drejtimi Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore (Master), si bartës të programit kishte rektorin Alush Musaj, Aziz Behrami dhe Bahtir Hyseni. Mirëpo Këshilli Shtetëror të Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka konstatuar që Musaj dhe Behrami nuk përkojnë me fushën e studimit, ndërsa Hyseni nuk e ka nostrifikimin e diplomës, me ç’rast nuk është riakredituar ky drejtim.

Drejtimi Financa dhe Kontabilitet (Master) ku bartës të këtij drejtimi ishin prorektorja Ajtene Avdullahu dhe Esat Durguti, nuk është akredituar pasi profesoresha Avdullahu nuk përkon me fushën e studimit.

Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore (Bachelor) bartës të programit ishte caktuar Valdet Gjinovci, Dilaver Salihu, Fatos Rexhepi, Mirsade Osmani, ndërsa ky drejtim nuk u riakreditua pasi Valdet Gjinovci përveç që nuk përkon me drejtimin, ai mban edhe dy punë të tjera.

Gjeoinformatikë dhe menaxhim i gjeoresurseve (Bachelor) si bartës ka pasur Naser Pecin, Behxhet Shalën dhe Festim Kutllovcin, mirëpo as ky drejtim nuk akreditua pasi profesorët Peci dhe Shala ishin transferuar nga një drejtim tjetër i akredituar, por ky transferim nuk e kishte marrë miratimin e KSHC-së.

Programi Makineri prodhuese (Master) si bartës kishte Hakif Zeqirin dhe Labinot Kastratin, mirëpo ky drejtim nuk u riakreditua pasi profesori Krasniqi nuk përkon me fushën e studimit.

Ky vendim i Këshillit Shtetëror të Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim është marrë më datë 21.12.2021, në mbledhjen e mbajtur nën monitorimin e Ambasadës Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe dy organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, ORCA dhe BIRN.

JU REKOMANDOJMË