Ndërtimi i çerdhes në lagjen Tavnik të Mitrovicës ka mbetur i ndërprerë për më shumë se një vit, pavarësisht premtimeve të qeverisë për ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar më herët se ndërtimi i çerdheve është penguar nga mungesa e lokacioneve të përshtatshme të ofruara nga komunat.
Megjithatë, në rastin e Mitrovicës, prona ishte ndarë dhe ndërtimi kishte nisur, por puna ka ngecur prej kohësh, shkruan “Jepi zë”.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në dhjetor 2024, nga 160 çerdhet e premtuara, vetëm 4 janë përfunduar, 38 janë në proces ndërtimi dhe 12 të tjera janë në fazë prokurimi.
Kryeministri Albin Kurti ka inkurajuar komunat që të kërkojnë më shumë çerdhe, por në Mitrovicë, pavarësisht se ishte ndërmarrë një hap konkret, projekti ka mbetur pezull.
Arsyet e ndërprerjes së punimeve në çerdhen e Tavnikut mbeten ende të paqarta, ndërsa prindërit dhe banorët e lagjes presin për një zgjidhje të shpejtë për këtë institucion të rëndësishëm për edukimin e fëmijëve të tyre.