Trupi i viktimës 16-vjeçare nga Llausha do të zhvarroset, dyshohet se e vrau xhaxhai në Drenicë gjatë luftës

Publikuar më:

Organet e hetuesisë janë duke vazhduar hetimet për 16-vjeçaren e vrarë në kohë të luftës në malet e Llaushës. Ngjarja tragjike dyshohet se ka ndodhur nga axha i të ndjerës e për arsye banale.


Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se nuk kanë informacione të reja për rastin, pasi që nuk e kanë pranuar ende raportin e Autopsisë. Në Mjekësinë Ligjore burimet e Gazetës kanë deklaruar se i kanë sugjeruar prokurorit që kjo gjë të kryhet jashtë shtetit.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e Policia e Kosovës janë duke hetuar një rast që kishte tronditur Llaushën gjatë luftës së fundit.

20 vjet më parë, pak javë para së në vend të hynin forcat e NATO-s e të jepej lajmi për çlirimin e Kosovës, me disa plumba dyshohet se është vrarë në malin e Llaushës një 16-vjeçare, derisa deri më sot ende ka dyshime mbi rrethanat që quan te ngjarja tragjike.

Dy dekada më vonë, nga varrezat ku po prehej, trupi i të ndjerës është zhvarrosur, për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Megjithatë, edhe pas disa muajsh hetime ende nuk është hedhur dritë mbi këtë vrasje. Kështu kanë deklaruar për Gazetën Express nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Në prokurori thonë se nuk kanë marrë raportin e autopsisë, e se rasti po vazhdon të mbetet në fazë të hetimeve.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka autorizuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda për kryerjen e hetimeve dhe mbledhjen e provave. Deri më tani nuk është kthyer raporti i autopsisë, pasi që rasti është ende në fazën e hetimeve”, kanë deklaruar nga Prokuroria për Gazetën.

Se nuk ka përfunduar raporti i Autopsisë i kanë thënë Express’it burime brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Të njëjtit kanë sqaruar se identiteti i viktimës nuk është zbuluar ende, e se Prokurorit të rastit i kanë sugjeruar që për këtë të dërgohet jashtë shtetit.

“Identiteti nuk i është vërtetuar në Laboratorin e Forenzikës. Antropologu i ka sugjeruar prokurorit për dërgim jashtë shtetit”, ka thënë ky burim për Gazetën.

Rasti i 16-vjeçares është kthyer në vëmendje kur me datë 13 nëntor të vitit të kaluar, Policia për Hetimin e krimeve të Rënda në malet e Llaushës kishte bërë hapjet e varrit ku janë gjetur mbetje mortore,

Prokuroria kishte bërë të ditur se bëhet fjalë për një 16-vjeçare që dyshohet se është vrarë gjatë kohës së luftës.

“Ju informojmë që kemi të bëjmë me gjetjen e mbetjeve mortore që dyshohen që i përkasin një femre të moshës rreth 16 vjeçare, e cila dyshohet që është vrarë gjatë luftës në periudhën prill maj 1999. Me kërkesë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, dhe me urdhër të prokurorit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, është urdhëruar ekshumimi, ku mbetjet mortore të gjetura janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Në këtë fazë jemi në proces të grumbullimit të informatave, dhe njëherit priten rezultatet e autopsisë, në mënyrë që të dihen shkaqet e vdekjes”, kishin deklaruar prokuroria.

Prapavija e kësaj ngjarjeje tronditëse

Vrasja me disa plumba e 16-vjeçares (emri i të cilët nuk do të zbulohet për shkak të ndjeshmërisë së rastit), nuk u hetua asnjëherë. Gjithçka që kishte ndodhur 20 vjet më parë dihej mirë nga familja, e gjithë rrethina, mirëpo kurrë për këtë nuk pati hetime, e askush nuk u vu nën pranga.

Siç rrëfejnë disa burime të Gazetës që janë në dijeni për këtë rast, në kohën kur Kosova kishte qenë në periudhë të luftës, të dyshuar nuk janë pushtuesit serbë, mirëpo, siç bëhet e ditur, një familjar i vajzës.

Rasti kishte ndodhur në vitin 1999, në fshatin Llaushë të Skenderajt, kur kishin mbetur edhe pak ditë nga çlirimi i Kosovës. Atëherë, serbët kishin filluar të tërhiqeshin dhe qytetarët kishin filluar të lëviznin lirshëm.

Bëhet e ditur se vajza së bashku me një shoqe, në ditën kur kishte ndodhur krimi ishte duke shkuar për në qytetin Skenderajt.

Në atë ditë, policia serbe që ishte duke operuar në atë anë, do t’i merrnin vajzën dhe shoqen e saj për t’i ndalur në postbllok dhe nuk do t’i lironin për një kohë. Krejt ky rast u përcoll nga axha i të ndjerës T.SH. (emër i njohur për redaksinë), që në atë kohë kishte qenë ushtar i UÇK-së.

Ai e kishte parë mbesën duke folur me serbët dhe kishte pretenduar se ajo kishte pasur diçka me ta. Kur vajza u kthye në shtëpi pak orë më vonë, axha i saj do ta merrte për ta dërguar në mal, ku edhe dyshohet se xhaxhai e ka vrarë me disa plumba.

Sipas dëshmitarëve, trupi i pajetë i saj ka qëndruar për një natë në mal, derisa të nesërmen trupi është marrë nga familja e ngushtë dhe është varrosur. Ky rast u hesht për 20 vjet, pasi babai i 16-vjeçares asokohe e kishte arsyetuar veprimin e të vëllait. Mirëpo, ngjarja la pasoja në familjen e të ndjerës.

JU REKOMANDOJMË