Korporata Energjetike e Kosovës nxorri në shitje 40 mijë tonë hi të thatë nëpërmjet procedurës së negociuar për shitje.
Më 14.02.2025, KEK ka publikuar njoftimin për dhënie të Kontratës, në vlerë 120 mijë euro, për Ndërmarrjen Publike “Trepça”. Sipas këtij njoftimi, një ton hi i thatë do të paguhet 3 euro.
“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se ju keni dorëzuar tenderin e pranueshëm dhe me çmimin më të lartë, si përgjigje ndaj njoftimit të prokurimit publik për aktivitetin e prokurimit të lartcekur.” – theksohet në Vendimin e KEK-ut për dhënie të Kontratës.
Dosja e Tenderit është përgatitur më 10.02.2025, ndërsa Operatorët Ekonomik kanë pasur kohë të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 13.02.2025. Sipas Dosjes së Tenderit, edhe negociatat janë zhvilluar në të njëjtën ditë, më 13.02.2025.
Si rezultat i procesit teknologjik të prodhimit të energjisë elektrike nga Termocentralet e Kosovës “A” dhe “Kosovës B”, përmes djegies së linjitit të eksplatuar nga minierat e KEK-ut, KEK-u posedon sasi të konsiderueshme të tonelatave të hirit të thatë, një mbetje e krijuar gjatë djegies së qymyrit në TC “Kosova B” dhe përbëhet nga grimcat e imta të gazrave të tymtarit. Andaj, përveç sasisë të caktuar të hirit që KEK-u e shfrytëzon për nevoja të veta, ka në dispozicion për të shitur të paktën rreth 750,000 tonë të hirit të thatë. Ky hi është kryesisht i lokalizuar në bunkerët e hirit në TC “Kosova B” të KEK-ut.
Në Dosjen e Tenderit thuhet se ofertuesi i cili do të fitojë Kontratën për blerjen e hirit të thatë nuk duhet të krijojë probleme ambientale dhe duhet ta pastrojë vetë ambientin e derdhjet eventuale nga ngarkimi dhe transportimi i hirit të thatë.
Po ashtu, në Dosje theksohet se KEK-u ka vendosur të caktojë një çmim bazë për njësi prej 3 euro për ton, i cili përfshin TVSH-në e Kosovës dhe ndonjë taksë tjetër të zbatueshme.
“Ky çmim bazë përfaqëson shpenzimet operative që i shkakton KEK-u për prurjen e hirit të thatë deri te mekanizimi i ngarkimit – duke përfshirë çmimin e tregut të cilin KEK-u e ka përcaktuar nga procedura e fundit e shitjes së hirit të thatë.” – theksohet në Dosje.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është një Ndërmarrje publike e integruar vertikalisht, që operon me Miniera të linjitit dhe Termocentrale për prodhimin e energjisë elektrike. Veçanërisht, KEK-u ka në pronësi dhe operon me miniera të linjitit, përkatësisht Minierën e Sibovcit Jugperëndimor dhe dy Termocentrale “Kosova A” dhe “Kosova B”, me kapacitet të instaluar prej 1478 MW, por me një kapacitet operues efektiv prej më pak se 800 MW.