Rastet e përleshjeve dhe tentim vrasjeve janë rritur me të madhe. Në këto incidente, jo rrallëherë përdoren edhe armët e mjete të tjera të rrezikshme, që shumica e të dyshuarve i mbajnë pa autorizim.
Një rast i rrahjes dyshohet se ka ndodhur edhe sot në një kompani ndërtimi në Prishtinë.
Sinjali ka mësuar se një punëtor është sulmuar nga dy persona, njëri prej të cilëve edhe e ka therur me një mjet të mprehtë.
Në bazë të informacioneve të para, fillimisht një 49-vjeçar i kishte shkuar viktimës deri te puna, ku dyshohet se e ka sulmuar për shkak të një mosmarrëveshje momentale.
Për të mos mbaruar me kaq, edhe djali i të dyshuarit është përfshirë në përleshje, duke e goditur me thikë në gjoks punëtorin.
Për pasojë, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa rasti është denoncuar në Polici.
Njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.