Sondazhi i fundit i NDI: VV ka rënë në 36%, PDK e dyta me 26%, LDK me 24%

Publikuar më:

Matjet e fundit se ku qëndrojnë partitë politike tregojnë ndryshime të mëdha në përkrahjen e tyre nga qytetarët.

Një sondazh i fundit i realizuar nga organizata amerikane Instituti Demokratik Ndërkombëtar (NDI), tregon se Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar një rënie të madhe në besueshmëri.

Sondazhi, i cili është realizuar këtë muaj, pavarësisht se e ka vendosur të parën Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti, ka treguar se partia në pushtet ka një rënie prej rreth 14 për qind nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Vetëvendosje do t’i fitonte 36 për qind të votave, bazuar në sondazhin e NDI, rezultatet e së cilit i ka siguruar Paparaci.

Ngritje të hovshme rezulton të kenë shënuar dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Bazuar në matjet e NDI-së, PDK-ja ka dal partia e dytë me përkrahje. Partia që e nominoi si kandidat për kryeministër kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën do të merrte 26 për qind të votave në zgjedhjet nacionale, sipas sondazhit.

Ngritje në këtë matje ka shënuar edhe LDK-ja, e cila figuron të jetë partia e tretë me 24 për qind.

Edhe AAK-ja, e cila në zgjedhjet e fundit nacionale fitoi pak mbi 7 për qind të votave, ka rezultuar me rritje në matjet e NDI. Sipas sondazhit të organizatës amerikane, AAK-ja del të jetë partia e katërt me rreth 10 për qind.

Instituti Demokratik Ndërkombëtar është një organizatë jo-qeveritare amerikane e cila përkrahet nga Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe fondacione të tjera ndërkombëtare. NDI rregullisht merret me matje të opinionit rreth përkrahjes për subjektet politike.

Në zgjedhjet e fundit nacionale, LVV-ja e kishte marrë saktësisht atë që dëshironte. Rezultati përfundimtar e nxori atë të parën me mbi 50 për qind. 49 për qindëshin tjetër ua kishte lënë të gjitha partive të tjera bashkë.

Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind.

Derisa LVV-ja po shënonte rezultatin më të thellë ndonjëherë në zgjedhje, LDK-ja doli me më së paku vota në historinë e saj.

LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.