Skandaloze: Mbulohet shtatorja e Adem Jasharit në restorantin ku darkuan Rama e Vuçiq

Publikuar më:

Shtatorja e Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila ka qenë e vendosur në restorantin “Fish City”, në Elbasan është mbuluar sonte.

Krejt kjo pasi aty për darkë sonte ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ftesën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me të cilin u tha se u diskutua për “Open Balkan”.

Kështu të paktën thotë opinionisti nga Maqedonia e Veriut, Kastriot Myftaraj.

Përmes një shkrimi në Facebook ai ka thënë se Rama është përkujdesur që Vuçiqi të mos i mbesë ndonjë halë në fyt kur sheh shtatoren e Adem Jasharit.

“Me rastin e vajtjes së Presidentit të Serbisë Vuçiç në “Fish City” në Elbasan, sipas agjendës së përcaktuar nga mikpritësi i tij Kryeministri Rama për vizitën e tij është marrë çdo masë që mikut të shquar nga Beogradi të mos i ngecë në fyt ndonjë “halë” dhe ta shijojë plotësisht peshkun e zgjedhur të oligarkut Gjergj Luca, pronarit të “Fish City”, shkruan ai.

“Për të mos shqetësuar Vuçiçin është mbuluar shtatorja e Adem Jasharit, e cila gjendet në këtë resort”.

Ai thotë se kjo shtatore u ndërtua për të tërhequr kosovarët.

“Është fjala për atë shtatoren për të cilën oligarku Luca me shumë emocion i kërkoi Albin Kurtit kur këtë e shpuri Edi Rama në resortin e Lucës, që të shkonin dhe ta shikonin. Por meqenëse oligarku Luca e ka ngritur këtë shtatore për të joshur klientë nga Kosova në resortin e tij, ai pa ngurim e mbuloi atë kur ia kërkoi miku i tij Edi Rama”.

“Meqenëse është parashikuar që Vuçiç të bëjë edhe një shëtitje nëpër resort për të parë këtë “mrekulli” kuptohet se shtatorja e Adem Jasharit do të ishte një e papritur e pakëndshme për të”, shkruan më tutje ai.

Gjatë shkrimit të tij ai përmendi edhe si çka shërbente Vuçiqi në kohën kur u vra Adem Jashari e familja e tij.

“Meqenëse Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit në 1998 kur u vranë Adem Jasharit dhe njerëzit e tij në Masakrën e Prekazit, atij me siguri do t’ i shijojë më shumë darka sepse mendon që kështu ka mposhtur për herë të dytë Adem Jasharin”.

Ndërkohë, Myftaraj pati një koment edhe për mos pjesëmarrjen e Lulzim Bashës në protestën e organizuar sot kundër Vuçiqit.

“I vetëshpalluri nipi i Drenicës, Lulzim Basha, i cili nuk po organizon protestë me rastin e ardhjes së Vuçiç, a nuk duhet të kishte thënë së paku diçka për mbulimin e shtatores së Adem Jasharit nga Edi Rama?”.

E rreth orës 20:00 të mbrëmjes, eskortat e Presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev janë parë teksa kanë mbërritur në Elbasan. Aty u pritën nga kryeministri Edi Rama, që kishte mbërritur më herët bashkë me ministret e tij.

Dy kryeministrat dhe presidenti patën darkë informale në Elbasan së bashku me delegacionet e tyre përpara një dite intensive që i pret nesër lidhur me “Open Balkan”. Çështje kjo që u pasua me protestë të udhëhequr nga Salih Berisha përpara kryeministrisë sot.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.