Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga Qeveria të mos fajësohen për vrasjen e 48-vjeçares në Llaushë

Publikuar më:

Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se po fajësohen pa arsye për shumë raste. Ky reagim vjen pasi Policia u konsiderua fajtor nga shumë njerëz dhe institucione për vrasjen e 48-vjeçares në Llaushë të Skenderajt.

Në reagim, Sindikata ka thënë se Policia e Kosovës i përgjigjet çdo thirrje që paraqitet nga qytetarët dhe çdo rast e trajton me përgjegjësi dhe profesionalizëm.

“Lidhur me rastin e vrasjes së fundit në Skenderaj por edhe për disa raste të tjera Policia e Kosovës është duke u fajësuar pa arsye. Policia i përgjigjet çdo thirrje që paraqitet nga qytetarët dhe çdo rast e trajton me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Të gjitha veprimet hetimore, policia, i kryen sipas urdhrave të prokurorit, prandaj të gjithë ata që duan ta fajësojnë Policinë fillimisht duhet t’i din kompetencat e Policisë, Prokurorisë dhe të Gjykatës. Policia ka të drejtë ta mbajë të ndaluar një person vetëm gjashtë orë, kurse për ndalim prej 48 orëve vendos Prokurori dhe për caktim paraburgimi vendos gjyqtari i procedurës paraprake, prandaj Policia është vetëm ekzekutuese e këtyre vendimeve”, thuhet në reagim.

Kjo sindikatë ka kërkuar nga Qeveria dhe institucionet tjera që mos ta fajësojnë Policinë, sepse sipas tyre, ata njollosen dhe dëmtohen.

“Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet Qeveritare dhe jo qeveritare që mos të fajësojnë Policinë pa arsye sepse po njollosemi dhe po dëmtohemi edhe si institucion edhe individualisht vetëm e vetëm që jemi të parët që i përgjigjemi çdo rasti duke rrezikuar edhe jetën”, vazhdon reagimi.

JU REKOMANDOJMË