Shtyhet seanca fillestare për korrupsion ndaj Vesel Nezirit, ish kryesuesit të komisionit komunal të aksionarve në KRM “Uniteti”, mungoi avokati Rexhep Kaqaniku

Publikuar më:

Për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Vesel Neziri, avokatit Rexhep Kaçaniku është shtyrë seanca fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku Veseli po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lidhur me mungesën e avokatit Rexhep Kaçaniku, gjykatësi i rastit Fatos Sejdijaj tha se i njejti ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme, me arsyetimin se është në pushim vjetor.

E  pranishme në seancën e sotme gjyqësore ishte prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme gjyqësore u shty, ndërsa e  radhës u caktua për në muajin shtator.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 prill 2024, Vesel Neziri akuzohet se nga 14 prill 2019, në pozitën e kryesuesit të Komisionit të Aksionarëve në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti”, në Mitrovicë, duke shfrytëzuar pozitën dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, me qëllim që tjetrit t’i sjellë dobi, duke marrë vendim në menyrë të kundërligjshme për emërimin e dy anëtarëve të Bordit drejtues në KRM “Uniteti”.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti në kundërshtim me nenet 16 pika 16.5, 17 paragrafi 2, pika k, paragrafi 3 pika b, dhe nenin nenin 21 paragrafi 4 të Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërrmarrje Publike, dhe në kundërshtim me nenin 8 të Ligjin nr.03/L-212 e punës, ka marrë vendim për emërimin e Rrahman Grepit dhe Fatime Hasanit si anëtarë të Bordit drejtues të KRM “Uniteti”,  duke mos shpallur konkurs dhe në kundërshtim me kushtet dhe kriteret e parapara ligjore.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Neziri ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

JU REKOMANDOJMË