Shteti zbarkon në HIB Petrol, dyshime për shmangie të mëdha tatimore

Publikuar më:

Hetimet disa mujore të intelegjencës së Doganave të Kosovës kanë rezultuar se korporata Hib Petrol është duke kryer aktivitete në kundërshtim me ligjin.

Ekipet e doganierëve kanë zbarkuar sot në korporatën Hib Petrol, mëson Gazeta Insajderi.

Kanë gjetur se kjo kompani ka nxjerrë në shitje për qytetarët derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë.

Derivatet e naftës të parapara për nevojat e ambasadave janë të liruara nga akciza.

Duke vepruar kështu kjo kompani dyshohet se ka bërë shamngje të obligimeve tatimore me qindra mijëra euro.

Gazeta Insajderi ka pyetur Doganat e Kosovës lidhur me këtë aksion. Ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare. Përgjigje nuk kanë dhënë as Policia e Kosovës.

Gjatë ditës u raportua se kjo kompani është e përfshirë edhe në një skandal tjetër.

Tri ditë pasi kryeministri Albin Kurti mori një vendim lidhur me industrinë e naftës, kompanive të këtij sektori iu erdhi një kërkesë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Iu kërkohej që të deklaronin se sa litra naftë i posedonin në stoqet e tyre. Kjo kërkesë është bërë me qëllimin që të implementohej vendimi i Kurtit për të mos lejuar korporatata e naftës që të kenë më shumë se 6 përqind fitim në shitjet me pakicë.

Ndërsa në shitjet me shumicë vendimi parashihte marzhë prej vetëm 4 përqind. Kërkesës së ATK-së i ishte përgjigjur edhe korporata Hib Petrol, pronë e Ibrahim e Kujtim Bucaliut. Kishte njoftuar ATK-në se korporata posedonte mbi 3 milionë litra derivate të naftës në stoqet e saj.

Gazeta Insajderi posedon raportet e korrespodencat mes ATK-së e kësaj kompanie private.

Kjo rezervë milionëshe i ndihmonte kompanisë që të mos rriste çmimin e derivateve të naftës. Mirëpo në praktikë ndodhi e kundërta.

Përkundër sasisë enorme rezervë, korporata HIB Petrol, vendosi që të rrisë çmimin disa herë brenda dhjetë ditëve-nga data 4 mars deri më 14 mars të vitit 2022.

Gjersa gjatë muajit shkurt çmimi i një litre naftë në këtë kompani ishte nga 1 deri në 1 euro e 6 cent, në kohën e fryrjës së çmimeve situata kishte eskaluar.

Deri më datën 14 mars çmimi ishte rritur mbi 5 herë, përderisa në bursë kishte pasur më pak lëvizje. Prej 1 euro e 6 cent në fund të shkurtit, çmimi i një litre naftë në këtë kompani kishte shkuar mbi 1 euro e 80 cent.

JU REKOMANDOJMË