“Shpëton” Mentor Beqiri me shokë, shtyhet seanca pasi avokati doli pozitiv me virus

Publikuar më:

Avokati Kadri Begolli, ka kërkuar ndërprerjen e seancës ku Behar Halili, Shpëtim Tahiri dhe Mentor Beqiri po akuzohen për tentim vrasjen e kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës në Mitrovicë, Nexhat Fazliut, pasi që gjatë seancës është informuar se ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica në pamundësi për të vazhduar më tutje, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, pasi që i akuzuari Shpëtim Tahiri ka deklaruar se nuk mund të vazhdojë pa mbrojtësin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës të pandehurit Behar Halili dhe Shpetim Tahiri po ngarkohen me veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë”.

Ndërsa i pandehuri Mentor Beqiri, po ngarkohet me veprën penale shtytja në “Vrasje të rëndë në tentativë në bashkëkryerje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Në këtë seancë ishte prezent edhe prokurorja Besa Limani, të akuzuarit Mentor Beqiri me avokatin Musa Damati dhe  Behar Halili me avokaten Albulena Sheholli-Xhema, i dëmtuari Nexhat Fazliu me avokatin Emin Zariqi dhe dëshmitarët Sokol Muja dhe Safet Islami, kurse munguan dëshmitarët Ramadan Dervishi dhe Bajram Berisha.

Duke qenë se trupi gjykues në këtë rast është i përbërë edhe nga gjykatësja Medie Bytyqi dhe gjykatësi Agim Kuçi, gjatë kësaj seance i dëmtuari Fazliu ka deklaruar se gjykatësja Medie Bytyqi ka dhënë urdhrin për bastisje në shtëpinë e tij si gjykatëse e procedurës paraprake para disa ditësh në një lëndë tjetër dhe se sipas tij, pa dashur të paragjykojë paanësinë e saj, i njëjti thotë se ka dyshimet e tij.

Tutje, ai tha se ka dyshime që njëri nga të akuzuarit ka ndikim tek shefi i operativës së Policisë Shkëlzim Xhafa dhe se bastisjen për në shtëpinë e tij e kanë përgatitur bashkë pasi sipas tij, personi në fjalë ka ndikim në Polici duke vazhduar se ndoshta e kanë futur në lajthim edhe gjykatësen në fjalë.

Lidhur me këtë gjykatësja Krasniqi-Jashanica i ka thënë të dëmtuarit që çdo rast të dyshimit mund ta paraqitet në Polici, Prokurori apo edhe Inspektorat Policor, por lidhur me atë se gjykatësja Bytyqi ka lëshuar urdhërarrest, sipas saj, ajo është thjeshtë një kërkesë që vjen nga prokuroria dhe gjykata e shqyrton.

E njëjta e ka njoftuar Fazliun se mundet që në zyrën e saj të parashtrojë kërkesë me shkrim me arsyet e veta dhe se e njëjta kërkesë do shqyrtohet më pas.

Po ashtu, ndonëse mbrojtësi i të akuzuarit Beqiri, avokati Damati kërkoi fjalën që të kundërshtojë deklarimet e të dëmtuarit, gjykatësja nuk e lejoi që të deklarohet.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.