Shpend Haxhibeqiri s’do të jetë më drejtor i IPFK-së

Publikuar më:

Shpend Haxhibeqiri nuk do të jetë më drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.

Kjo pasi që pas përfundimit të përzgjedhjes së nëntë drejtorëve të klinikave në QKUK, është bërë e ditur që Drejtor i IPFK-së është zgjedhur Arsim Gashi.

Gazetari i Nacionales Oqean Dërmaku kishte raportuar disa herë për disa raste brenda IPFK-së, ku dyshohej se ishin bërë keqpërdorime nën menaxhimin e tashmë ish-drejtorit Shpend Haxhibeqiri, por që të njëjtat ishin tentuar të fshihen nga opinioni.

Për rastin e fundit që Nacionale kishte raportuar, ishin organizuar edhe protesta nga qytetarët e organizata.

Çka është IPFK-ja dhe çka ndodhi brenda saj që ngriti dyshimet për keqpërdorim:
Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës është një prej instituteve më të rëndësishme që funksionon në kuadër të QKUK-së. Nëse një person kryen vepër të rëndë penale, që dënohet me së paku tri vite burgim, i dyshuari mund të dërgohet me urdhër të gjykatës në IPFK për ekzaminim psikiatrik. Varësisht prej konkludimeve të komisionit në IPFK, Gjykata do të merrte vendim edhe drejt të dyshuarve nëse ata kanë p.sh. çrregullime mendore, kanë kryer vepër penale nën afekt etj.

Por, brenda IPFK-së ishte krijuar një frymë tjetër menaxhimi, që hapte dyert për keqpërdorim. Aty po trajtoheshin persona që kishin probleme me varësi nga drogat dhe kishin kryer vepra penale të ndryshme. Të njëjtit pacientë, nuk janë të destinuar për t’u trajtuar në IPFK, por në Klinikën e Psikiatrisë.

Disa nga pacientët që po trajtoheshin brenda IPFK-së, po merrnin trajtime të veçanta e me kushte më të mira, teksa të tjerët që nuk kishin gjendje të mirë ekonomike, dyshohej se po neglizhoheshin.

Kështu kishte ndodhur edhe në rastin e njërit pacient, i cili në ditën që ishte liruar nga trajtimi në IPFK, kishte ndërruar jetë brenda burgut në Gjilan.

Një rast tjetër që kishte tronditur publikun, ishte rasti i një pacienti (emër i njohur për Nacionale), i cili ishte larguar nga IPFK pa urdhër nga Gjykata (që është e kundërligjshme). Kur gazetari Oqean Dërmaku kishte kontaktuar në telefon ish-drejtorin Shpend Haxhibeqiri, i njëjti e kishte mohuar që pacienti ishte larguar nga instituti. Disa ditë më vonë, ish-drejtori së bashku me kolegët e tij e kishte njoftuar Policinë e Kosovës që një pacient ishte larguar disa ditë më parë nga instituti, e pastaj i njëjti ishte kthyer një ditë më vonë në IPFK. Ky njoftim i policisë, do të duhej të ndodhte në ditën kur pacienti është larguar nga IPFK, por dyshimet janë se rasti është munduar të fshihet nga organet e drejtësisë dhe opinioni.

Një ndër rastet më të rënda, ishte rasti i logopedit Iljasa Fazliu, i cili ishte shpallur i pafajshëm për akuzat ndaj tij në rastin e 4-vjeçares që kishte ndodhur disa vite me parë. Me konkludimet që grupi i psikiatrave, të cilët kishin thënë se të miturës nuk i është shkaktuar dëm nga gjuha dhe sjellja e logopedit, Gjykata e kishte liruar logopedin Iljasa Fazliu nga të gjitha akuzat. Në ekipën e psikiatrave ishte edhe ish-drejtori Shpend Haxhibeqiri. Për këtë rast ishin organizuar edhe protesta.

JU REKOMANDOJMË