Rritet presioni mbi Qeverinë, kërkohet që paga minimale të jetë 400 euro

Publikuar më:

Është rritur presioni mbi Qeverinë e Kosovës për çështjen e pagës minimale. Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat s’është pajtuar as me raportimet për 250 euro pagë minimale e as për kërkesën e Bashkimit të Sindikatave për pagë minimale 350 euro. Jusuf Azemi, kryetar i SPSK-së ka thënë se s’do të pajtohen me asnjë pagë minimale nën 400 euro.

“Nuk guxoj të them se cili do të jetë propozimi i kryeministrit për pagën minimale. Njëherë pati thënë 350 euro e më pas 250. Ne nuk duam të flasim se për cilën shumë e ka fjalën. Ne bëjmë me dije që nëse duhet biseduar për pagën minimale duhet me përfaqësuesit e sektorit privat dhe jo të tjerët. Neve nuk na pajton çfarëdo page që është nën 400 euro edhe pse kjo pagë është shumë e vogël”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Azemi është ankuar për kushtet e punëtorëve në vend. Ka thënë se mbi 200 mijë punëtorë kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendit.

“Gjendjen e punëtorëve të sektorit privat rritja e inflacionit e ka përdhosur edhe më shumë. Që të jetë strumbullar i te gjitha këtyre të këqijave ka qenë edhe ngritja e energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova tash po përballet me mungesë punëtorësh në të gjitha sektorët.

Azemi ka apeluar te Parlamenti që të aprovojë tërheqjen edhe të një pjese të trustit për punëtorët.

Çështja e pagës minimale ka nxitur debat ditëve të fundit që kur kryeministri Albin Kurti njoftoi se së shpejti do të dilet me propozim. BSPK-ja ka thënë se kërkon pagë minimale 350 euro.

Edhe punëdhënësit janë shprehur pro një ngritjeje të pagës minimale, që ka vite që është 130-170 euro.

Çështja e pagave do të dalë në Kuvend muajin e ardhshëm, kur deputetët pritet të shqyrtojnë Ligjin për Paga.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.