Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.
SBASHK përmes një njoftimi për media thotë se në këtë mbledhje do të merren vendime për veprimet sindikale që do t’i marrin nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë dhe nëse nuk merret ndonjë vendim lidhur me implementimin e Ligjit të Pagave.
“Kemi nderin t’ju ftojmë në takimin e jashtëzakonshëm që do ta mbajmë me kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve e në të cilin do të bisedohet dhe do të merret vendimi për veprimet sindikale nëse nuk ndodhin takime me Qeverinë apo nëse nuk merren vendime të pranueshme lidhur me Ligjin e pagave dhe Implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive”, thuhet në njoftim e SBASHK-u.
Takimi do të mbahet në sallën e takimeve të Qendrës së Studentëve, te selia e SBASHK-ut, të premten, më 12 nëntor, me fillim në orën 14.
Ndryshe, SBASHK-u ka paralajmëruar më herët bllokim të sistemit arsimor nëse nuk implementohet Ligji për Paga.