Reagime nga shoqëria civile për ndërtimin e rrugës nga “Art Mall”, pronari thotë se ka leje dhe se nuk e dëmtoi parkun

Publikuar më:

Ndërtimi i rrugës për qasje në projektin e ndërtimit të Qendrës Tregtare “Art Mall”, ka sjellur reagimin e shoqërisë civile, të cilët kanë dalë kundër.


Ata kanë thënë se rruga e dëmton parkun dhe ka ftuar organet komunale që të japin përgjegjësi, shkruan “Jepi zë”.

Madje, ata përmes një letre publike, kanë thënë se projekti në fjalë nuk ka leje dhe u ndërtua fshehurazi. Por, kështu nuk mendon pronari i qendrës, Besart Baruti.

Baruti ka dhënë sot një sqarim lidhur me cështjen në fjalë, duke thënë se për projektin dhe për këtë rrugë ka leje dhe pëlqime nga Komuna. Sipas tij, projekti në fjalë ka marrë votat e shumicës së asamblistëve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.

“Një gjë që duhet theksuar është se “Art Mall” posedon leje të ndërtimit si dhe leje dhe pëlqim për krijimin e qasjes në objekt përmes rrugëve. Kujtojmë që projekti i qendrës ka kaluar me shumicë dërmuese të votave në asamblenë komunale, dhe të gjithë kanë pasur para vetes planin dhe të gjithë dokumentacionin përcjellës. Ne njoftojmë opinionin e gjerë dhe shoqërinë civile, që posedojmë vendim dhe pëlqim edhe për rrugën në fjalë”, ka thënë Baruti.

Nga shoqëria civile pati kritika dhe dyshime se rruga u shtrua gjatë fundjavës dhe, sipas tyre, natën. Pronari Baruti thotë se rruga është punuar gjatë ditës së të shtunës dhe të dielës dhe se, sipas tij, fundjava u zgjodh për të mos penguar qarkullimin e qytetarëve.

“Duam të theksojmë se rruga as nuk është shtruar natën e as nuk është joligjore. Punët janë kryer gjatë gjithë dites së datës 22.10.2021 deri me datë 24.10.2021 pra tri ditë të plota dhe jo gjatë natës si janë duke pretenduar, dhe arsyeja që ato punë janë kryer gjatë fundjavës ka qenë evitimi i kohës kur ka qarkullim të madh të qytetarëve”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, duhet theksuar se qendra “Art Mall” pritet të punësojë rreth 1500 persona, dhe ky investim ishte vizituar gjatë fushatës zgjedhore edhe nga kryetari aktual, Agim Bahtiri.

JU REKOMANDOJMË