Qeveria ua ndal pagesat 32 serbëve që merrnin rrogë pa punuar fare

Publikuar më:

Aleksandri, një qytetar serb nga veriu i Mitrovicës, ka “punuar” në Ministrinë e Arsimit të Kosovës nga janari i vitit 2016. Në punë, nuk ka shkuar asnjë ditë, por rrogën e ka marrë rregullisht.

Kjo praktikë është ndërprerë vetëm pas gjashtë vjetësh – në shkurt të këtij viti, kur Ministria e Arsimit nuk ia ka ndarë rrogën.

Aleksandri ishte punësuar në ministri pas një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia kishin arritur në Bruksel, për integrimin e pjesëtarëve të të ashtuquajturës Mbrojtje Civile.

Mbrojtja Civile ka qenë një strukturë paralele e Serbisë në veri të Kosovës, e cila është shpërbërë në vitin 2015, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas kësaj marrëveshjeje, qindra pjesëtarë të kësaj strukture janë punësuar në institucionet e Kosovës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Aleksandri – emri i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë tonë – thotë se kontaktin e parë dhe të fundit me punëdhënësin e tij – në këtë rast Ministrinë e Arsimit të Kosovës – e ka pasur më 5 janar të vitit 2016.

Që nga ajo kohë, ai nuk është angazhuar asnjëherë në punën që i është ndarë.

“Unë kam qenë vetëm atëherë në Prishtinë, e gjitha ka zgjatur pak kohë dhe që atëherë nuk kam pasur asnjë telefonatë nga Ministria[e Arsimit] dhe asnjë kontakt”, thotë Aleksandri.

Për gjashtë vjet me radhë, ai dhe 31 serbë të tjerë kanë marrë paga nga Ministria e Arsimit pa punuar as edhe një ditë të vetme.

Por, gjithçka ka ndryshuar muajin e kaluar, kur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë nuk i ka ekzekutuar pagat për këta punëtorë.

Me ta kuptuar këtë, Aleksandri thotë se së bashku me punëtorët e tjerë kanë bërë ankesë në ministri.

Sipas tij, ministria, me të cilën ka pasur kontratë, nuk i ka ofruar kushte të punës, pasi, siç thotë, ai është dashur të angazhohet në punë në pjesën veriore të Kosovës, ku edhe jeton.

Në anën tjetër, MASHTI thotë se për ndërprerjen e pagave të ish-pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile ka marrë shkas vërejtjen nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për ekzekutim të pagave për punëtorët që nuk dalin në punë.

“Pas gjetjeve të auditorit, si ministri, menjëherë kemi reaguar dhe zyrtarët përgjegjës janë marrë me këtë rast”, thuhet në një deklaratë të MASHTI-t dërguar Radios Evropa e Lirë.

ZKA-ja e ka përsëritur vërejtjen e njëjtë për këtë ministri në të paktën tri raporte, gjegjësisht në vitet: 2018, 2019 dhe 2020, por nga MASHTI konfirmojnë se punëtorët nuk kanë dalë në punë që nga emërimi i tyre, më 2016.

Shpenzimet vjetore për pagat e tyre, sipas raportit të ZKA-së, kanë qenë afro 135,000 euro.

Për gjashtë vjet, i bie që ministria të ketë paguar rreth 810,000 euro paga për ta.

JU REKOMANDOJMË