“Pse s’po m’jep pare, kom me të mbytë”: Drenicasi kërcënon gruan e tij që s’i dha para për alkool

Publikuar më:

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike  e bixhoz, raporton Gazeta Sinjali.

Në hall me bashkëshortin e saj, është edhe një grua në fshatin Nekoc të Drenasit, e cila gjatë ditës së djeshme është detyruar të kërkojë ndihmën e Policisë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 44-vjeçarja ka deklaruar se i shoqi i kërkon vazhdimisht para për alkool dhe në momentin që nuk ia jep, demolon orenditë shtëpiake dhe bën sjellje agresive kundrejt familjarëve.

Bazuar në dëshminë e saj, gjatë ditës së djeshme i dyshuari e ka pyetur pse s’po i jep para dhe më pas e ka kërcënuar se do e mbysë. 46-vjeçari po ashtu dyshohet se me një bombolë gazi ka kërcënuar se do ia vë flakën shtëpisë.

Në ngjarje është përfshirë edhe vajza e çiftit e cila i ka dhënë babait të saj para në mënyrë që situata mos të eskalojë më shumë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

JU REKOMANDOJMË